BMW”-“Alibaba”, bashkëpunim për të integruar inteligjencën artificiale në automjetet e gjeneratës së ardhshme

BMW” dhe gjiganti kinez i tregtisë elektronike “Alibaba” kanë njoftuar një partneritet strategjik të zgjeruar në Kinë, për të integruar inteligjencën artificiale (AI) të modelit të madh të gjuhëve (LLM) në automjetet e gjeneratës së ardhshme të prodhuesit gjerman të makinave, shkruan “Xinhua”.

Ky bashkëpunim është pjesë e strategjisë së BMW-së me funksionim të plotë të inteligjencës artificiale në Kinë, e cila thekson partneritetin me kompanitë kryesore të teknologjisë kineze në fusha të avancuara si AI LLM dhe ndërveprimi inteligjent zanor.

Të dyja kompanitë do të punojnë së bashku për të zhvilluar një motor të inteligjencës artificiale bazuar në Qwen LLM të “Alibaba”. Ky motor fillimisht do të fuqizojë Asistentin Personal Inteligjent të BMW-së në makinë, duke debutuar në automjetet e tij inteligjente të gjeneratës së ardhshme, modelet e tij Neue Klasse, të cilat do të prodhohen në Kinë dhe janë planifikuar të debutojnë në vitin 2026.

“Partneriteti ynë afatgjatë me “Alibaba Group” është shembull i rritjes së përbashkët të arritur me bashkëkrijimin. BMW-ja do të punojë më afër me partnerët kinezë të teknologjisë në lëvizshmërinë elektrike dhe teknologjitë inteligjente, për të shkruar historinë tonë fitimprurëse të rinovuar”,- tha Sean Green, president dhe drejtor ekzekutiv i “BMW Group Region China”.