
Një 20-vjeçar shqiptar, banues i përkohshëm mes Zvicrës dhe Italisë, u arrestua së bashku me një 33-vjeçar zviceran, pasi u kapën në zonën e Bellinzonës në shpërndarje të lëndëve narkotike.
Këtë e ka bërë të ditur policia kantonale dhe Prokuroria Publike, duke saktësuar se ndërhyrja është shkaktuar pas kontrollit verifikues të Policisë Bashkiake të Bellinzonës, në shtëpinë e 33-vjeçarit, ku ndodhej si ‘mysafir’ edhe shqiptari.
Policia kantonale u alarmua dhe nisi një hetim që çoi në zbulimin e më shumë se 100 gramëve kokainë, si dhe disa qindra franga cash, informon media vendase.
Akuzat janë shkelje e rëndë e Ligjit Federal për Narkotikët dhe shkelje e Ligjit Federal për të Huajt. Hetimet koordinohen nga prokurorja publike Anna Fumagalli, teksa pritet edhe procesi në gjykatë për të dyshuarit.