
Kryeministri Mickoski paralajmëron vazhdimin e kontrolleve. Sipas tij 70 apo 80 % të objekteve është hasur në parregullsi. I pyetur se a do të vazhdojnë kontrollet e objekteve nga inspektorët në terren, Mickoski tha se edhe përkundër faktit që resurset dhe fondet janë të kufizuara do të vazhdojnë kontrollet edhe më tej.
“Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, mund të them se kemi hasur në shumë parregullsi dhe kur flas për parregullsi flas për konkretisht 70 apo 80 % të objekteve. Nuk flas për përjashtime por për praktikë e cila ka funksionuar, dhe më nuk do të funksionoj. Jemi duke bërë një plan aksionar që për një periudhë të caktuar të shpallet moratorium dhe të anashkalohen të gjitha ata parregullsi për ata që dëshirojnë të funksionojnë me aktivitetin që kanë funksionuar”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.