BDI: Heshtja mori fund, tani duhet të flitet! Në momentet e para të tragjedisë në Koçan, krerët e pushtetit nisën ndjekjen politike

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate thonë se pas ditëve të zisë, është koha që të flitet për tragjedinë në Koçan, ku jetën humbën 59 persona, përcjell TV21. Nga BDI thonë se që në momentet e para, pushteti nisi ndjekjen politike në këtë rast.

“Por heshtja mori fund. Dhe tani duhet të flitet. Që në momentin e parë të tragjedisë, ndërsa zjarri ende nuk ishte shuar, ndërsa qytetarët në shok kërkonin përgjigje dhe shpresë, pamë se si krerët e pushtetit – në vend që të tregojnë dhembshuri – nisën një ndjekje politike. U ndërtua një narrativ sipas cilës licenca e dhënë vite më parë e ka fajin  dhe u bë bazë për arrestimin e një ish-ministri – me pranga, kamera dhe ballina gazetash. Edhe pse të gjithë e dinë se licencat nuk janë të përhershme, nuk vazhdojnë automatikisht, të gjithë e dinë se kanë kaluar vite që kur kanë skaduar, dhe madje edhe ajo konkrete – e falsifikuara – kishte përfunduar tre ditë para tragjedisë. Të gjithë e dinë se objekti ishte mbyllur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike disa muaj më parë, dhe shumë shpejt më pas ishte rihapur në mënyrë të paligjshme.
Të gjithë e dinë se në objekt rregullisht kishte numër të tejkaluar vizitorësh, dhe se atë natë kishte mbi 650 persona në një hapësirë me kapacitet prej 300 vetash. Të gjithë e dinë se objekti frekuentohej rregullisht nga të mitur, ashtu si edhe natën fatale, madje deri në orën 3 të mëngjesit. Të gjithë e dinë se në ato mbrëmje përdorej rregullisht piroteknikë, dhe të gjithë e kishin të qartë se kjo bëhej pa leje nga policia – ashtu siç ishte përdorur piroteknika edhe natën e tragjedisë. Dhe më e rëndësishmja – të gjitha institucionet lokale, nga policia te inspektoratet, e kishin ditur këtë, e kishin parë, por nuk kishin guxuar të reagojnë. Të gjithë e kishin parë – por për një vit të tërë – askush nuk kishte parë asgjë. Ne pyesim: Pse? Pse nuk e panë me kohë dhe pse nuk e parandaluan? Sepse ai vend nuk ishte një lokal i zakonshëm.
Ai ishte vendtakimi joformal i gjithë elitës politike, kriminale dhe të biznesit të Koçanit dhe të rajonit përreth. Nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë – të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij; të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje”, thonë nga BDI.