
Në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike në Shkup për momentin po mjekohen dhjetë pacientë të cilët morën lëndime nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan fundjavën e kaluar. Drejtori i Klinikës, Nebojsha Nastov tha se gjashtë prej pacientëve janë me të djegura të rënda dhe tashmë u është bërë transplantim i lëkurës, njofton Portalb.mk.
Në konferencën për shtyp në Qeveri, Nastov shtoi se pacientët e tjerë janë në gjendje stabile dhe se pritet që gjatë javës së ardhshme të lëshohen në mjekim shtëpiak. Ai tha se situata është e ndryshueshme dhe se gjendja shëndetësore e pacientëve mund të ndryshojë.
Lidhur me pacentët të cilët po mjekohen jashtë shtetit, Nastov theksoi se ata do të qëndrojnë për mjekim në spitalet e huaja deri në një fazë të caktuar, pas çka do të jetë e domosdoshme të kthehen në vend. Në vijim janë protokolle dhe koordinim midis Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Qeverisë për kthimin e tyre dhe vendosjen në kapacitetet spitalore në vend.
Në pyetjen për gjendjen e gjashtë pacientëve të cilët janë në gjendje kritike jashtë shtetit, Nastov u përgjigj se informata të hollësishme do të ketë pas takimit të Shtabit të krizave. Spitalet nga vendet e huaja dërgojnë informata për gjendjen e pacientëve një herë në ditë.
Më 22 mars, ministri i Shëndetësisë Arben Taravariinformoi se jashtë shtetit po mjekohen gjithsej 115 pacientë, prej të cilëve pesë prej tyre pritet që javën e ardhshme të kthehen në vend. Taravari theksoi se gjashtë pacientë janë në gjendje kritike, ndërsa madje, 109 pacientët e tjerë janë në gjendje relativisht të mirë, por, siç tha “të jemi të rezervuar për atë se mund të ndodhin komplikime të cilët nuk janë të parashikuara”.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçan, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer më 20 mars.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.