Kombi e bën shtetin, shteti e mbron kombin

Kombi e bën shtetin, shteti e mbron kombin

5 mins më parë

0 124 8 minuta lexim

Kriza shqiptare është në nivelin e parametrave që flasin për krizë të thellë dhe komplekse, e cila është shumë e vështirë për t’u zgjidhur, por jo e pamundur. Ata që i mbollën dhe kultivuan këto prapësi që e brenë kombin, janë dashakëqijtë, ndërsa ata që i propagandojnë ato si të pazgjidhshme, nuk janë më të mirë, kurse ata që i pranojnë si të tilla, si të pazgjidhshme, janë të manipuluar dhe të mashtruar.  

Arben LABËNISHTI, Strugë  

Jo vetëm në Europë, por në nivel botëror, shumica e shteteve janë të ndërtuara dhe funksionojnë si shtete kombëtare. Edhe shtetet fqinje të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës deklarohen si shtete kombëtare, të cilat në përditshmëri e shpërfaqin funksionimin dhe aktivitetin e tyre në bazë të parimeve me natyrë kombëtariste. Këto shtete fqinje, në integritetin territorial të tyre dhe nën sovranitetin që e ushtrojnë mbajnë të pushtuara territore me popullatë autoktone shqiptare. Në këto rrethana, në ndërgjegjen dhe përgjegjshmërinë shtetërore të regjimeve të shtetit shqiptar të 1913, në atë të pjesës më të madhe të elitës politike dhe asaj intelektuale deri në ditët e sotme, kombëtarizmi varion nga pamjaftueshmëria deri te inekzistenca, me përjashtim të një periudhe në kushtet e Luftës së Dytë Botërore, e cila shënon figura të spikatura politike dhe intelektuale me ndërgjegje të fortë kombëtariste.

Shqiptarët, në dëm të vetes së tyre, kanë tjerrë dhe vazhdojnë të tjerrin inate dhe interesa meskine individuale dhe klanore, të motivuara për pushtet politik dhe financiar korruptiv, të cilat i kanë përçarë në masën që arrin ndasitë e armiqësisë, sa “njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit”, sipas ndarjes, joshjes dhe ndikimit që ua kanë imponuar të tjerët. Pothuajse asnjëherë nuk është manifestuar vullnet politik dhe potencial intelektual me vizion kombëtarist, për konsolidimin e institucioneve të shtetit, stabilitetin dhe forcimin e tyre, si dhe ndërtimin e një diplomacie me frymë kombëtarizmi, të cilat janë faktor të domosdoshëm për interesat e shqiptarëve.

Më këtë këndvështrim, për të drejtën e kombit shqiptar, për stabilizimin dhe mirëqenien e tij, problemi që duhet shtruar dhe kërkon zgjidhje është se si të arrihet deri te vetëdijesimi i klasës politike dhe intelektuale shqiptare për kombëtarizmin si ideologji e domosdoshme për t’i orientuar dhe konsoliduar institucionet e shtetit, i cili me detyrën e tij efektive i përmbush, zbaton dhe i ruan interesat e kombit, të cilat janë detyrim i tij. Gjithashtu, edhe si politika shqiptare në trevat jashtë shteteve shqiptare (RSH dhe RK), t’i artikulojë saktë kërkesat politike dhe të jetë e vendosur në qëllimet e veprimet e saj.

Vetëm duke u bërë të ndërgjegjshëm për këtë arrihet përballja dinjitoze me fqinjët dhe ndërtohen marrëdhënie më realiste me aleatët, interesat gjeopolitike të të cilëve në Ballkan nuk mund të thuhet se janë plotësisht të përputhshme me të drejtën e shqiptarëve.

Nga Kongresi i Berlinit 1878 deri në ditët e sotme

Është e njohur se, diku në shekullin XVIII, ndodhi ndërgjegjësimi për kombin. Ky ndërgjegjësim i gjeti shqiptarët nën administrimin të Perandorisë Osmane, ku ata në masë të madhe ishin integruar, sa i kishin arritur edhe nivelet më të larta qeverisëse, administrative dhe ushtarake të Perandorisë, si rezultat i të cilave nuk mendonin për shtetin e tyre kombëtar. Pas tronditjeve brenda Perandorisë Osmane, përpjekjes së fqinjëve tanë grekë, serbë, bullgarë dhe malazezë, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha, për autonomi brenda Perandorisë dhe, më pas, pavarësi të plotë, pretendimet e të cilave cenonin territoret shqiptare, merr fill ndërgjegjësimi shqiptar për nevojën e domosdoshme të shtetit. Kjo është periudha e Rilindjes Kombëtare dhe ajo përfaqëson mendimin e arsyetuar për njësinë politike me kufij të shtrirë në tërësinë e trevave kombëtare shqiptare. Nga Shën Stefani, vendimet e të cilit u diskutuan në Kongresi i Berlinit (1878) dhe deri në viti 1913, kur Perandoria tërësisht e kishte humbur potencialin e forcës për t’i mbrojtur territoret periferike të saj, duke përfshirë edhe rajonin e Ballkanit, që ishin territore shqiptare, fqinjët u vërsulën t’i pushtojnë dhe t’i spastrojnë etnikisht me shfarosje dhe shpërngulje këto territore. Si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kompromisit të interesave gjeopolitike të Fuqive të Mëdha të kohës, u njoh një shtet shqiptar në një territor prej 28.748 km2, ndërsa pjesa më e madhe e territorit të populluar me shqiptarë autokton mbeti jashtë tij, në okupim të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi.

Më pas, qeveritë e shtetit shqiptar të cunguar, nga ajo e Ahmet Zogut, te Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, i kanë mëkatet e tyre në raport me interesat dhe kujdesin për kombin dhe trevat shqiptare nën pushtimin sllav dhe grek. Ajo e Ahmet Zogut, së paku, brenda shtetit shqiptar të cunguar padrejtësisht nuk e zhveshi shtratin e dashurisë dhe vëllazërisë në mes të shqiptarëve, por e ruajti atë, ndërsa regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe komunistëve të tjerë rreth tij, jo vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, ia bënë dëmin më të madh kombit, me pajtimin dhe rolin që patën për mbetjen e trevave shqiptare në sundimin sllav (federatën jugosllave, ku i copëtuan në katër pjesë), por edhe e degraduan shtetin me diktaturën 45-vjeçare në armik të kombit.

Pas rënies së komunizmit, rrethanat ndërkombëtare u bënë më të favorshme për interesat e kombit shqiptar. Shqipëria e filloi procesin e kalimit nga totalitarizmi në demokraci, me fillimin e transformimeve politike, ekonomike dhe shoqërore, duke i përfshirë edhe ato fetare e psikologjike. Në këto rrethana, politikanët me ndikim dhe pushtet në Tiranën zyrtare të pasrënies së regjimit komunist, si Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama (që edhe aktualisht është në pushtet), gjatë qeverisjeve të tyre, nuk treguan nivelin e ndërgjegjësimit që e kërkonte momenti historik për interesat e kombit shqiptar. Me divergjencat e tyre politike e sociale, të cilat shënojnë edhe kriza politike, si dhe me papërgjegjshmërinë për të vërtetën dhe mundësitë e favorshme për interesat kombëtare në kohën që ata e ushtronin pushtetin, jo vetëm e shpërfillën interesin kombëtar, por ka momente që edhe e dëmtuan atë.

Edhe udhëheqësia e politikës shqiptare në trevat e pushtuara nga sllavët, gjatë politikëbërjes ka periudha që ka rënë në grackat e këtij mentaliteti dhe i ka përgjegjësitë e saj për dëmin që i ka shkaktuar çështjes kombëtare.

Ngjarjet historike që fillojnë me vendimet e Shën Stefanit, për të kaluar në disa konferenca e kongrese të tjera, që vijnë deri në ditët e sotme, dëshmojnë se themelimi i shtetit shqiptar të pavarur në vitin 1913, i cili përfshin më pak se gjysmën e territorit dhe të kombit shqiptar, ishte rezultat i pothuajse inekzistencës së potencialit ushtarak të mirëfilltë dhe atij diplomatik të shqiptarëve, të cilëve Fuqitë e Mëdha të kohës ua imponuan kompromisin e interesave gjeopolitike të tyre. Ndërsa liria dhe pavarësia e Kosovës ishte rezultat i lëvizjes kombëtare shqiptare me politikë dhe diplomaci të mirëorganizuar, i potencialit ushtarak me kapacitete e mbështetje më serioze dhe interesave të gjeopolitikës së shteteve me forcë vendimmarrëse, në veçanti SHBA-së. Ndërkaq Marrëveshja e Ohrit, e cila nuk e njeh të drejtën e merituar të shqiptarëve për të qenë të barabartë me maqedonasit në shtetformim dhe në ushtrimin e sovranitetit të shtetit që përcaktohet me kushtetutën e vendit, ishte rezultat i pamjaftueshmërisë së kërkesës e këmbënguljes së politikës shqiptare duke e përfshirë edhe lidershipin e UÇK-së dhe interesat e shteteve të interesuara që luajtën rolin e ndërmjetësuesit (SHBA-së dhe BE), për të cilët mendoj se pasi shqiptarët u mjaftuan me kaq, edhe për ata kjo marrëveshje ishte e pranueshme.

Ajo pjesë e shqiptarëve në trevat e tyre që mbahen në pushtimin e Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, mbeten në pozitë më të vështirë nga të gjithë të tjerët.

Në ditët e sotme, shqiptarët, në kuptimin e peshës politike që kanë dhe atë të territorit që administrojnë si komb, janë shumë më mirë se më parë, por jo në nivelin e mundësive që në rrethanat më të favorshme ndërkombëtare të pas rënies së komunizmit, mundej dhe duhej t’i bëjnë realitet në interes të tyre. Është evidente se shqiptarët i ka përfshirë një krizë morale, mbi themelet e së cilës janë ndërtuar prapësitë që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë interesin kombëtar dhe dinjitetin e tyre. Me plot të drejtë, si çështje shumë shqetësuese mund t’i radhisim këto: përçarja e elitave drejtuese të politikës shqiptare; mungesa e një elite intelektuale me karakter e moral të fortë dhe të qëndrueshëm kombëtar dhe intelektual; papërgjegjshmëria politike e manifestuar me shpërfilljen e interesit kombëtar për interesa meskine individuale, klanore dhe të huaja; korrupsioni, që fillon me politikanët dhe shtrihet në të gjitha institucionet; elita biznesore jo sipas modelit të suksseshëm me ndershmëri, të cilët nuk rrezatojnë vlera në zhvillimin e natyrshëm ekonomik dhe ruajtjen e resurseve kombëtare; mercenarizmi i jo pak politikanëve dhe punonjësve në shumë sektorë të rëndësishëm të shtetit, media dhe biznese; mungesa e ndjesisë për ruajtjen e resurseve kombëtare; përqafimi i kulturës (neo)liberale që e zbeh identitetin dhe moralin kombëtar; tendencat për prishjen e harmonisë ndërfetare dhe përçarjen e kombit etj. Të gjitha këto janë faktorë që e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë shtetin e dobët, e dëmtojnë edhe më shumë atë dhe e kanë ulur dhe vazhdojnë ta ulin potencialin efektiv të kombit për ta mbrojtur veten, për ta realizuar detyrën e të drejtës së tij, jetësimi i së cilës do t’i garantojë mirëqenie dhe dinjitet.

Për të drejtën dhe dinjitetin e shqiptarëve

Kriza shqiptare është në nivelin e parametrave që flasin për krizë të thellë dhe komplekse, e cila është shumë e vështirë për t’u zgjidhur, por jo e pamundur. Ata që i mbollën dhe kultivuan këto prapësi që e brenë kombin, janë dashakëqijtë, ndërsa ata që i propagandojnë ato si të pazgjidhshme, nuk janë më të mirë, kurse ata që i pranojnë si të tilla, si të pazgjidhshme, janë të manipuluar dhe të mashtruar.

E ardhmja e kombit shqiptar dhe trevave që i popullojnë ata si autoktonë do të varet nga kapacitetet efektive të tyre në interes të kombit, si, karakteri dhe niveli i intelektualitetit të tyre, ruajtja e identitetit dhe moralit kombëtar nga ndikimet dhe ndërhyrjet e pseudoideologjive që e zbehin dhe e tjetërsojnë atë, veprimtaria vizionare aktive me ideologji kombëtarizmin dhe qëndrueshmëria politiko-diplomatike brenda dhe jashtë vendit në shërbim të interesave kombëtare, potenciali i tyre ushtarak në raport me fqinjët, niveli i zhvillimit me qëndrueshmërinë ekonomike të tyre dhe shkalla e përputhshmërisë së të drejtës së shqiptarëve me interesat gjeopolitike të aleatëve të cilët kanë forcë imponuese në vendimmarrjet rajonale dhe botërore.

Për t’i ndërtuar, shëndoshur dhe ruajtur këto shtylla të domosdoshme për realizimin e interesave dhe mirëqenien e kombit, është imediate konsolidimi i shteteve shqiptare (RSH dhe RK) dhe përkushtimi ndaj kombëtarizmit si ideologji e natyrshme dhe shëndetshme, të cilat duhet të zhvillohen paralelisht. Kjo nuk mund të arrihet pa e luftuar pa kompromis deri në shfarosje fenomenin shkatërrimtar të korrupsionit dhe krimit të organizuar; pa programe edukativo-arsimore në institucionet socializuese për familjen, për kultivimin e dashurisë për kombin dhe dijes; pa ruajtjen e trashëgimisë dhe moralit kombëtar të trashëguar me shekuj, tek i cili është mishëruar edhe ai fetar, që e ruajnë dhe forcojnë karakterin e individit dhe atë të mbarë kombit; pa një arsim cilësor, që jo vetëm e minimizon analfabetizmin funksional, por e rrit dhe e shëndosh intelektualitetin dhe gjithashtu karakterin; pa programe të studiuara mirë për zhvillimin e drejtë dhe të qëndrueshëm të ekonomisë së shtetit dhe asaj familjare, si dhe të ruajtjes dhe zhvillimit të resurseve kombëtare; ngushtimit sa më të madh të hapësirës për propagandë, agjitacion dhe joshjes, që e zbehin identitetin kombëtar, provokojnë prishjen e harmonisë ndërfetare dhe i kundërvihen kombëtarizmit.

Jetësimi i kësaj kërkon elita politike, intelektuale dhe biznesore të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme për interesat kombëtare dhe forcimin e shtetit. Një shtet që do t’i ketë prioritet parimet e mësipërme, i vetëkrijon këto elita, të cilat më pas i përkushtohen punës për interesat kombëtare, nga të cilat rrjedhin natyrshëm mirëqenia e familjes dhe e individit.

Shteti është më i rëndësishmi dhe rolin e tij nuk mund ta zëvendësojë asgjë dhe askush në përmbushjen dhe ruajtjen e interesave kombëtare, atyre të drejtave të kombit që e stabilizojnë dhe e forcojnë atë, nga të cilat përfiton drejtpërdrejt individi për të jetuar me dinjitet, në mirëqenie dhe krenar për kombin dhe shtetin e tij.

Në mesin e shumë faktorëve që kanë ndikuar në të kaluarën, të cilët e kanë peshën me kuptim të njëjtë edhe në ditët e sotme dhe do ta kenë edhe për të ardhmen e shqiptarëve, më i rëndësishmi është vet faktori shqiptar.