
Prej 115 pacientëve që po kurohen jashtë vendit, 6 pacientë që janë në gjendje më kritike, ndërsa të tjerët janë në gjendje të qëndrueshme. Nga e hëna 5 pacientë pritet të kthehen në vend. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se pacientët që do të kthehen, fillimisht do të pranohen nëpër spitalet e vendit, dhe më pas do të lëshohen në shtëpi.
“Pacientët me gjendjen më të rëndë janë dy në qendrën klinike në Lublanë, dhe 4 në akademinë ushtarake mjekësore në Beograd. Ata pacientë janë me gjendje më të rëndë. Planifikohet 1 lëshim prej spitalit nga Italia, nga Spanja 2 lëshime, nga Suedia një lëshim dhe 2 nga Austria. Këto janë të planifikuar, por nuk është definitive, përsëri të hënën do të ju njoftojmë“, tha Arben Taravari, Ministër i Shëndetësisë.
Gjendja e 54 pacientëve që po kurohen në Shkup është po ashtu e qëndrueshme dhe nga e hëna do të ketë lëshime të reja nga spitalet. Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor Sasho Klekovski tha se kjo betejë do të jetë e gjatë dhe nuk do të përfundojë për 1 apo dy javë. Ai tha se teksa ulet rreziku nga djegiet dhe lëndimet respiratore, nga ana tjetër rritet rreziku nga infeksionet.
“Megjithatë përse nuk duhet të jetë moment i lëshimit. Pasi ashtu siç ulet rreziku nga djegiet akute dhe lëndimet respiratore, fillon të rritet rreziku nga infeksionet. Kështuqë beteja nuk përfundon, ajo ende ekziston dhe është e mundur që pacientë që ishin në gjendje të mirë, t’u përkeqësohet gjendja për shkak të rrezikut nga infeksionet. Atë që po e ndërmarrim në vend e ndërmarrin edhe kolegët jashtë vendit, janë analizat e rregullta toksikologjike dhe mikrobiologjike dhe monitorim të vazhdueshëm. Një shenjë se përse nuk duhet të rehatohemi është hospitalizimi i 6 pacientëve të rinj dje, prej të cilëve 5 janë në toksikologji”, tha Sasho Klekovski, Drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Në Shkup momentalisht janë 54 pacientë, prej të cilëve 27 janë në qendrën klinike, 11 në “8 shtatori” dhe 10 në spitalin “Shën Naumi i Ohrit”. Në klinikat private janë gjithsej 6 pacientë, që të gjithë në gjendje të qëndrueshme./Alsat.mk