
Viktimat, dy vëllezërit Enejd Laçi, 25 vjeç, Erild Laçi, 20 vjeç, si edhe Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç, janë të katërt me origjinë nga fshati Borizanë i Fushë-Krujës.
Të rinjtë po ktheheshin nga aeroporti i Rinasit, pasi Erildi kishte ardhur nga Gjermania, kur u përplasën për vdekje në Fushë-Prezë.
Aksidenti fatal ndodhi kur makina e drejtuar nga 25-vjeçari Enejd Laçi u përplas me një betoniere që drejtohej nga 24-vjeçari A.K. Ka dyshime se shkak për aksidentin tragjik mund të jetë bërë shpejtësia tej normave të lejuara e mjetit “Benz” me të cilin po lëviznin të rinjtë, pasi në venndgjarje ekspertët nuk kanë hasur shenja frenimi.
Si pasojë e përplasjes së fortë me betonieren, makina, e pajisur me impiant benzinë-gaz ka shpërthyer në flakë dhe të rinjtë janë djegur për së gjalli. Pas përplasjes, trupat e pajetë të katër të rinjve janë nxjerrë të karbonizuar dhe janë transportuar në morgun e Tiranës.
Familjarët e tyre, ende të tronditur nga humbja e madhe, nuk i kanë marrë ende trupat për shkak të procedurave të ekspertizës.
Në fshatin Borizanë të Fushë-Krujës ka pllakosur heshtja dhe zia pasi kuja për 4 të rinjtë e vdekur është më e fortë se çdo zhurmë tjetër.