
Dhjetëra-mijëra protestues kanë dalë të enjten në rrugët e Jerusalemit e Tel Avivit në Izrael, për të bërë thirrje drejt një armëpushimi të ri në Gaza dhe për të protestuar kundër asaj që po cilësohet si sulm kundër demokracisë së vendit nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, transmeton The Guardian.
Autoritetet izraelite kanë raportuar se të paktën 12 persona janë arrestuar gjatë tensioneve në Jerusalem dhe Tel Aviv, ndërkaq rrugët kryesore të vendit kanë mbetur të bllokuara.
“Më shumë protesta priten në ditët e radhës, teksa fushata akumulon momentum dhe energji”, ka thënë një protestues.
Faktorët kryesorë në nxitjen e pakënaqësisë tek protestuesit ishin përpjekja e kryeministrit Netanyahu për të larguar nga detyra shefin e inteligjencës së brendshme, Ronen Bar, si dhe vendimi i tij për të thyer armëpushimin më shumë se dymujor në Gazë me sulme të njëpasnjëshme ajrore.
Protestuesit akuzojnë qeverinë se po e vazhdon luftën për arsye politike dhe po injoron gjendjen e rëndë të 59 pengjeve – rreth 24 prej të cilëve besohet të jenë ende gjallë që mbahen nga grupi militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës.
“Kjo qeveri ka filluar gjithashtu një luftë, përsëri, për të mbrojtur veten, për të zhvendosur diskursin nga gjërat që e shqetësojnë publikun në Izrael. Qeveria e ka humbur tërësisht legjitimitetin në çdo nivel të mundshëm… Ata po dështojnë”, ka thënë Eitan Herzel, udhëheqës i një grupi protestues.
Gjatë ditëve të fundit, Izraeli po ashtu ka nisur edhe një operacion tokësor ushtarak në Gaza, me qëllim të shkatërrimit të pozicioneve të Hamasit. Rifillimi i operacioneve tokësore vjen dy ditë pasi më shumë se 400 palestinezë u vranë gjatë sulmeve ajrore të Izraelit në Gaza.