Vazhdojnë tentativat për ta shndërruar tragjedinë e Koçanit në incident me prapavijë etnike!

Një reagim i fuqishëm ka ardhur pas një akti të papranueshëm dhe të dënueshëm të disa të rinjve adoleshentë maqedonas në Komunën e Butelit, të cilët pas protestës për tragjedinë në Koçan kanë përdorur fishekzjarre, duke tentuar të përçojnë një mesazh të rremë se shqiptarët kanë festuar për ngjarjen tragjike.

Ky veprim është cilësuar si një provokim i shëmtuar dhe i qëllimshëm, që synon të krijojë tensione të panevojshme dhe të manipulojë opinionin publik.

“Ashtu si për çdo tragjedi tjetër, edhe për atë që ndodhi në Koçan, ne si shqiptarë ndjejmë keqardhje të thellë dhe solidaritet me familjet e viktimave. Është e papranueshme që një dhimbje e përbashkët të përdoret për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes mes komuniteteve,” thuhet në reagimin publik.

Njëherësh, është bërë thirrje publike që kryetari i Komunës së Butelit të distancohet qartë nga ky akt provokues dhe të dënojë veprimet që dëmtojnë bashkëjetesën ndërmjet qytetarëve.