
Mjeku Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, ka kritikuar qasjen që ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka ndaj ngjarjeve të fundit në ministrinë që ai po e udhëheq, e që siç thotë Tateshi, numri i personelit mjekësor ka shënuar rënie dhe kjo duhet të trajtohet si problem kyç.
Tateshi thotë se në mjekësi njihet sindromi Burnout, teksa sqaron se Taravari duhet të merret me probleme themelore të fushës e jo me çështje dytësore.
Reagimi i plotë:
Disa herë kam shkruar për sindromin Burnout te punëtorët dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë. Kjo gjendje çon në gabime mjekësore dhe komplikime të ndryshme, duke qenë veçanërisht e theksuar në sistemin shëndetësor publik, ku numri i personelit ka rënë në një nivel kritik.
Ministri i Shëndetësisë nuk duhet të merret me çështje dytësore si parkingu i Qendrës Klinike apo qendra e gazrave për klinikat kirurgjike, por me problemet themelore mjekësore. Përndryshe, edhe ai vetë rrezikon të bjerë në humnerën e sindromit Burnout.
Familjes Ademi i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta, ndërsa të ndjerit Zoti ia faltë Parajsën.