Rifillon gjykimi për zjarrin në modularin e Tetovës U prezantuan video dëshmitë, të akuzuarit mohojnë fajësinë

Në Gjykatën Themelore të Tetovës ka rifilluar gjykimi për zjarrin tragjik në spitalin modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona. Seanca e sotme u fokusua në prezantimin e video dëshmive nga prokuroria, ndërkohë që të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë.

Gjatë seances per zjarrin modular ne tetove është ndryshuar edhe gjykatësi i lëndës. Nga shërbimet e gjykatës njoftohet se gjykatësi paraprak, Jordan Vellkovski, për arsye shëndetësore nuk mund të vijojë me procesin, dhe lënda i është caktuar gjykatësit Rexhep Musa.

Në seancë ishin të pranishëm të akuzuarit Florin Besimi dhe Artan Etemi, përfaqësues të Spitalit të Tetovës, avokatët e palëve si dhe përfaqësues të familjarëve të viktimave.

Mbrojtja kërkoi që Prokuroria të precizojë lëndën dhe të dorëzojë të gjitha dëshmitë elektronike, në mënyrë që avokatët të njihen me to. Avokatët e të akuzuarve kërkuan gjithashtu që seanca të shtyhej për t’u dhënë kohë mbrojtjes të shqyrtojë dëshmitë, por kjo kërkesë u refuzua nga gjykatësi, i cili vendosi që ato të prezantohen menjëherë.

Të akuzuarit mohuan çdo përgjegjësi.

Grafik: “Nuk ndjehem fajtor”, u shpreh Florin Besimi.

Grafik “Nuk ndjehemi fajtorë”, deklaroi përfaqësuesja e Spitalit të Tetovës, Adile Rexhepi.

Nga ana tjetër, Artan Etemi theksoi se nuk e kupton plotësisht aktakuzën pasi është në gjuhën maqedonase. Gjatë seancës, përkthyesi i gjykatës e përktheu aktakuzën, por Etemi u ankua për cilësinë e përkthimit.

Grafik: “Përkthimi ishte shumë i thjeshtë dhe nuk e kuptova të gjithë aktakuzën. Dëgjova vetëm fjalë si ‘të vdekur’, ‘gaz’, ‘aparate kundër zjarrit’, gjëra që më kthyen pas në kohë, në natën tragjike. Kur e pashë dokumentarin e IRL-së, jam edhe më i bindur se nuk kam asnjë faj në këtë ngjarje”, u shpreh ai.

Në seancë u prezantuan pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat tregonin momentet pas shpërthimit të zjarrit, si dhe përpjekjet e stafit për të shpëtuar pacientët. Në video shihej edhe Artan Etemi duke ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Po ashtu, u shfaqën edhe pamje të incizuara më parë nga një kronikë televizive e datës 1 shtator 2021, që tregonte hapësirat brenda spitalit modular.

Mbrojtja këmbënguli në marrjen e materialeve për t’i analizuar më tej.

Seanca zgjati nga ora 10:00 deri në 15:30 dhe u ndërpre për të vijuar më 3 prill, në orën 10:00. Në seancën e ardhshme pritet të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.