Protesta masive kundër qeverisë së Netanyahut në Izrael

Protesta masive kundër qeverisë së Netanyahut në Izrael

38 mins më parë

0 124 3 minuta lexim

Dhjetëra mijëra qytetarë në Izrael protestuan kundër përpjekjes së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe qeverisë së tij për të shkarkuar Ronen Bar, drejtorin e agjencisë vendase të inteligjencës izraelite Shin-Bet (Shabak) dhe kundër vendimit për rifillimin e sulmeve në Gaza, raporton Anadolu.

Pika qendrore e protestave është Kudsi Perëndimor, në të cilin ndodhen Parlamenti izraelit, Kryeministria dhe ndërtesat e tjera qeveritare. Në orët e mëngjesit protestuesit mbyllën autostradën 1 një prej arterieve kryesore të vendit midis Tel Avivit dhe Kudsit. Në rrugë u krijuan radhë të gjata.

Pasi u mblodhën në sheshin në Kudsin Perëndimor, ku ndodhen ministritë dhe ndërtesat qeveritare përreth Parlamentit izraelit, dhjetëra mijëra njerëz protestuan duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë së Netanyahut dhe zgjedhje të parakohshme.

Ish-politikanë të rangut të lartë si ish-kryeministri Ehud Barak dhe ish-ministri i Mbrojtjes Moshe Yaalon iu bashkuan protestuesve, të cilët mbanin flamuj izraelitë dhe shirita të verdhë që përfaqësonin pengjet izraelite në Rripin e Gazës.

Duke protestuar kundër rifillimit të sulmeve nga qeveria në Rripin e Gazës, demonstruesit brohoritën parulla dhe mbajtën postera dhe pankarta që akuzonin Netanyahun se “ka nisur një sulm ndaj Gazës për arsye politike dhe se ka vënë në rrezik jetën e pengjeve izraelite”.

Disa qytetarë të cilët me automjetet e tyre kanë marrë pjesë në protestat në Kudsin Perëndimor kanë kryer veprime të mosbindjes civile duke i ndaluar automjetet e tyre në qarkullim. Në shumë pika të Kudsit Perëndimor pati trafik intensiv.

“Qeveria Netanyahu ka humbur legjitimitetin e saj”

Yair Lapid, lideri i partisë kryesore opozitare në Izrael, Yesh Atid (Ka një të ardhme), në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale u bëri thirrje izraelitëve që t’u bashkohen protestave.

“Ne vendosëm të dalim në rrugë sepse qeveria e Netanyahut ka humbur legjitimitetin e saj”, tha Lapid, duke shtuar se “heshtja përballë shkatërrimit të shkaktuar nga qeveria i jep qeverisë më shumë kohë për të copëtuar vendin”.

Sipas “The Times of Israel”, gjenerali në pension i Forcave Ajrore izraelite, Amir Haskel u arrestua nga policia izraelite duke përdorur forcën ndërsa ai brohoriste me një megafon pranë shtëpisë së Netanyahut në Kudsin Perëndimor.

Njoftimi i Netanyahut më 16 mars se ai do të shkarkonte drejtorin e Shin-Bet, Ronen Bar në Izrael u prit me reagime të shumta nga opozita dhe ata që e kundërshtojnë Netanyahun.

Prokuroria e Përgjithshme izraelite kishte paralajmëruar se hapi në fjalë mund të ishte i paligjshëm për shkak se Shin Bet po trajtonte dy dosje në të cilët hetoheshin këshilltarët e ngushtë të Netanyahut.

Kryeministria izraelite vlerëson se prokurorja e përgjithshme, Gali Baharav-Miara ka “tejkaluar në mënyrë perverse autoritetin e saj”.

Ushtria izraelite prishi armëpushimin dhe rifilloi sulmet në Gaza

Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme dje në mëngjes pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar. Në sulmet ajrore që ushtria izraelite kreu në Rripin e Gazës mëngjesin e 18 marsit, humbën jetën të paktën 400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën mbi 500 të tjerë.

Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet kanë filluar me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz. Izraeli i cili shkeli armëpushimin tha se do të vepronte kundër Hamasit me “forcë ushtarake në rritje”.

Hamasi tha se “Izraeli nuk i mbajti premtimet dhe rifilloi gjenocidin ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij përpara syve të vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin”.

Familjet e të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës akuzuan qeverinë e Netanyahut se “ka hequr dorë nga pengjet” dhe kanë theksuar se paraqitja e rikthimit të pengjeve nga qeveria si justifikim për rifillimin e luftës është “mashtrim i plotë”.

Partitë opozitare në Izrael theksuan se sulmet rifilluan nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të kryeministrit Netanyahu, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet.