Hetimi për tragjedinë e Koçanit/ Zbardhen detaje për hierarkinë e fajit

Policia ka arrestuar 23 persona si të dyshuar për përfshirjen në tragjedinë që ndodhi brenda klubit të natës në Koçan mëngjesin e 16 marsit. Persona që kërkoheshin me flet arrest kombëtarë janë siguruar, shkruan Alsat.

Sipas hetimeve të policisë, deri te zjarri ka ardhur si pasojë e fishekzjarrëve ndërsa të njëjtat janë sjell nga grupi muzikor. Personi që ishte i dyshuar për këtë veprim ka ndërruar jetë.

11 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orë mbi dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ish drejtori për Menaxhim me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

“Është arrestuar pronari jo formal i klubit, shitësi i biletave, katër persona si truproje, drejtuesi i agjencisë për sigurim, pronari i objektit ku ka funksionuar klubi, tre persona nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, një nga Inspektorati i Punës dhe një person tjetër që ndërlidhet me rastin”, u shpreh Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Toshkovski tha se gjatë hetimit është konstatuar se klubi ka funksionuar me dy aparate kundër zjarrit, nuk ka pas derë evakuimi, mjetet piroteknike janë shfrytëzuar në kundërshtim me ligjit, koncerti është mbajtur në kundërshtim me ligjin pa marrëveshje mes palëve. Toshkovski deklaroi se policia nuk ka obligim ligjor për t’i siguruar objektet e tilla. Lidhur me rolin e policisë brenda objektit, Toshkovski tha se në hetim janë përfshirë edhe zyrtarë të MPB-së.

“Secili që ka faj të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë lidhur me këtë rast do të mban përgjegjësi. Secili, e përsëris secili sipas ligjit. A vlen kjo për kryetarin e komunës? Kjo vlen për secilin”, theksoi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Nga hetimet është konstatuar se objekti nuk ka rrjet hidratimi dhe as mjete funksionale hidratimi. Nuk ka pasur aparate kundër zjarrit në raport me hapësirën brenda të cilës ka funksionuar. Nuk ka pasur dy dyer për evakuim ashtu siç parashikohet në ligj por ka pasur një derë të improvizuar metali në pjesën e pasme por ishte e mbyllur dhe e izoluar me mjete kundër zhurmës.

Nuk ka vend për qase nga dyja anët për makina e zjarrfikësve sipas rregullave dhe protokolleve. Brendësia e objektit ka qenë e ndërtuar me gips dhe nuk ka pasur shtresë mbrojtëse nga zjarri. Nuk ka pasur as sistem për njoftimin e njerëzve në rast alarmi.

Të gjitha këto i ka vërtetuar hetimi edhe i Prokurorisë Publike nga ku kanë dhënë urdhrin për arrestimin e gjithsecilit që është i përfshirë dhe mbajtjen në paraburgim afatshkurtër. Si ka pasur mundësi që një klub i tillë nate të vihet në funksion?

Sipas Toshkovskit këtë ia ka mundësuar sistemi i shkatërruar shtetëror.

“Çfarëdo që prekim është e helmuar. Maqedonia nuk ka sistem. Korrupsioni dhe krimi e kanë shkatërruar sistemin. Patjetër të marrim hapa radikal nëse duam ta normalizojmë shtetin”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.