
Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me një krizë të thellë politike dhe institucionale, e cila buron nga korrupsioni i rrënjësuar në strukturat shtetërore. Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko, është shndërruar në cakun kryesor të sulmeve të pandalshme nga funksionarë të ndryshëm qeveritarë dhe aktorë të tjerë politikë. Mirëpo, qëllimi i këtyre sulmeve nuk është lufta kundër korrupsionit, por mbulimi i skandaleve dhe aferave kriminale të vetë këtyre funksionarëve.
Gjatë muajve, por edhe këtyre disa viteve të fundit, narrativi politik në Maqedoninë e Veriut është orientuar kah krijimi i “armiqve politikë” për të devijuar vëmendjen nga krimi dhe keqpërdorimet që ndodhin brenda qeverisë dhe institucioneve kryesore të vendit. Sulmet ndaj Ramis Merkosh janë pjesë e një skenari më të gjerë, ku ai përdoret si “kokë turku” për të mbuluar aferat e korrupsionit që prekin nivelet më të larta të qeverisë.
Struktura shtetërore e Maqedonisë së Veriut është e infektuar me interesa klienteliste, të cilat sigurojnë mbrojtje për veten e tyre duke kanalizuar opinionin publik drejt figurave si Merko. Pavarësisht akuzave kundër tij, më pak analizë i kushtohet aferave korruptive brenda vetë institucioneve qendrore, të cilat për muaj të tërë me rradhë e kësaj qeverisjeje janë bërë epiqendra e korrupsionit dhe keqpërdorimit.
Tani, siç duken gjërat, është shumë e qartë që një kryetar komune, si Ramis Merko, të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në çdo aspekt të qeverisjes së këtij vendi!!! Për shembull, kur sistemi shëndetësor është në kolaps dhe spitalet nuk kanë barna, sigurisht që kjo ndodh sepse Ramis Merko nuk ka intervenuar për furnizimin e tyre dhe se nuk ka caktuar drejtorë të duhur, të cilët më tej pastaj do ta shpëtonin të gjithë sistemin shëndetësor të shtetit, apo jo?
Çështja e konceptit multifetar që po përkeqësohet dita-ditës, me ndërtimin e kishave dhe kryqeve me lejen e shqiptarëve në qeveri, gjithashtu është një problem që lidhet drejtpërdrejt me Ramis Merkon. Ai, si kryetar i një komune, padyshim që ka fuqinë të sjellë vendime në nivel qendror dhe të drejtojë politikat fetare të shtetit!!!!
Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk zbatohet siç duhet, është e qartë se Ramis Merko është përgjegjës për moszbatimin e saj, sepse një kryetar komune padyshim ka fuqinë të ndikojë në strukturën kushtetuese të shtetit!!!!!
Në administratën publike, shqiptarët po largohen nga vendet e tyre të punës, dhe natyrisht, Merko është fajtori kryesor! Përse? Sepse një kryetar komune ka kompetencën e plotë për të vendosur se kush punësohet dhe kush pushohet nga puna në institucionet qendrore qeverisëses në të gjitha nivelet!!!!
E ndërsa qeveria bashkëpunon me serbomanët dhe rusomanët më të mëdhenj në Ballkan, sigurisht që Ramis Merko është ai që po vendos për aleancat diplomatike të shtetit!!!!!
Është vërtet e pabesueshme që gjykatat merren me çështjen e veturës zyrtare të kryetarit vetëm sepse është Ramis Merkon ai që vozit një makinë për shumë vite, ndërkohë që qeveritarët dhe kryetarët e komunave të tjhera shpenzojnë luksin pa asnjë përjashtim. Kur bëhet fjalë për ‘Ramisin’, hetimet fillojnë, por kur janë të tjerë, makinat luksoze mbeten thjesht pjesë e rutinës – si një dekoracion i padukshëm në parkimin e qeverisë.
Pra, a është e drejtë të besohet se Ramis Merko është fajtori kryesor për çdo problem shtetëror, apo ky është vetëm një manipulim politik për të fshehur dështimet e vërteta të qeverisë?
A i fsheh pushteti korrupsionin dhe krimin duke sulmuar dhe akuzuar pa baza Ramis Merkon? Pasi, kur bëhet fjalë për të tjerët në pushtet, akuzat dhe hetimet janë gjithmonë të vonuara, ndërsa kur është në pyetje një figurë e caktuar, ajo bëhet objekt i një fushate të fuqishme mediatike.
Lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut nuk mund të jetë selektive dhe të mbështetet në eliminimin e individëve të caktuar, por duhet të fokusohet në reforma të thella dhe ndëshkimin e të gjithëve që janë përfshirë në abuzimin e pushtetit. Derisa kjo lojë politike të vazhdojë, vendi do të mbetet i ngujuar në një cikël të pafund skandalesh dhe krizash, me një sistem që ushqen korrupsionin e qëndron i paprekur.