Mickoski: Qeveria do ta mbështesë marrëveshjen për pagën minimale, ajo do të jetë 24.400 denarë

Qeveria do të mbështesë marrëveshjen për pagën minimale ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se në gjysmën e dytë të marsit mund të mbahet mbledhja e re e Këshillit Ekonomiko-Social.

“Dhe çdo marrëveshje që ata arrijnë, ne si Qeveri do ta mbështesim. Propozimin, të cilin e kam dëgjuar nga një përfaqësues i punëtorëve, konkretisht nga kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, dallon nga propozimi i disa muajve më parë, kur u zgjodh kjo Qeveri. Nuk pritën asnjë javë që ajo të zgjidhej dhe të dilnin me propozimin për pagën minimale prej 400 euro. Tani që e kanë parë që ligjërisht do të arrijmë 400 euro, kërkohet pagë minimale prej 500 euro. Ja unë them që as 500 euro nuk mjaftojnë, ndoshta duhen 1000, ndoshta duhen 2000 dhe nuk kam asnjë dilemë këtu. Unë jam absolutisht punëtor si të gjithë punëtorët e tjerë dhe dëshiroj që të gjithë të kemi paga më të larta”, tha Mickoski.

Ai kujtoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore insistuan për rritjen e kufirit të moshës për pensionim, por ata si Qeveri vendosën të mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe qytetarëve.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kërkuan rritje të pragut të Tatimit mbi vlerën e shtuar. Ne kemi vendosur të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve dhe të qëndrojmë në mbrojtje të standardit të jetesës së qytetarëve. Kemi hyrë në një luftë të pamëshirshme me ata që pasurohen në kurrizin e qytetarëve, tregtarëve, distributorëve, zinxhirëve tregtarë, ku i kemi kufizuar marzhet, si të marzhit të shpërndarjes ashtu edhe të marzhit me pakicë”, tha Mickoski.

Ai po ashtu theksoi se kanë siguruar 250 milionë euro për ekonominë, kredinë më të lirë në Evropë me kamatë prej 1,95%, për të ruajtur vendet e punës dhe për të krijuar vende të reja pune.

“Më gëzon fakti që nga ato 250 milionë, informacionet që marr, tregojnë se projektet që gjeneron ekonomia jonë janë tashmë deri në gjysmë miliardë euro dhe në vend të 5000 vendeve të reja të punës, tashmë jemi deri në 10 mijë vende të reja pune. Në janar eksporti është rritur për 5%, në vitin 2024 jemi vendi me numrin më të madh të investimeve të huaja për kokë banori në Ballkan dhe ndër tre në Evropë”, tha Mickoski.

Ai theksoi se kemi të hyra për 8,5% më të larta, 3,5% shpenzime buxhetore më të ulëta në janar të këtij viti dhe më pas kemi një rritje të kreditimit për 11,7% në janar.

“Rritja dyshifrore nga e cila 13% është për industrinë, ndërsa ende nuk kanë filluar të përdoren mjetet hungareze etj etj. Ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka që të sigurojmë kushtet e duhura për të bërë biznes, e kjo nënkupton punën e ndershme, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe gjithçka që është në interes të qytetarëve në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Për ta përmbledhur, çfarëdo që të bien dakord punëtorët dhe punëdhënësit, ne do ta respektojmë atë. Në ndërkohë kemi ligj të qartë dhe do të veprojmë në përputhje me ligjin, tha Mickoski, i cili ishte në një ngjarje në Qendrën për trajnim policor.

I pyetur nëse paga minimale nga prilli do të jetë 400 euro, Mickoski pohoi se sipas ligjit, nëse nuk ka marrëveshje të ndryshme ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, ajo do të jetë rreth 24.400 denarë.