
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke folur lidhur me interpelancën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe kërkesën për dorëheqje të kryeprokurorit Ljupço Kocevski, theksoi se në gjyqësor nuk duhet të ketë anëtarë partiakë.
“Mbrojtësi i fundit dhe mburoja solide në momentin e ish-qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së janë disa nga gjyqtarët dhe disa nga prokurorët, në mesin e të cilëve është edhe personi për të cilin po flisni tani. Shumica dërrmuese, do të thosha 95% e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë njerëz që e bëjnë punën e tyre me ndershmëri, që akuzojnë dhe gjykojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës”.
“Por fatkeqësisht ka nga ata që mbeten shërbetorë partiakë dhe që vlerësojnë se kur e veshin togën, në vend që të harrojnë privilegjet partiake dhe ata që i propozuan atje, ata janë ende shërbëtorë besnikë të atyre që në atë kohë i propozuan të jenë aty ku janë, sepse kështu janë ligjet dhe procedurat”, u përgjigj Mickoski.
“Veçanërisht do të theksoja sjelljen e një prokurori të disa ditëve më parë, i cili vendosi që në vend që të jetë prokuror dhe mbrojtës i shtetit të së drejtës dhe drejtësisë, të jetë shërbëtor besnik dhe i poshtër i një partie që ishte në pushtet për shumë vite dhe ishte pjesë e koalicionit në ish-qeverisjen”, sqaroi Mickoski.