
Udhëtimi nuk është zhvendosje nga njëri vend në tjetrin. Udhëtimi është zhvendosje në gjuhë, kultura, tradita, religjione dhe psikologji të tjera.
“Sa herë dilni nga shtëpia, një rrugë tjetër ju çon drejt një bote ku s’keni qenë kurrë”, shkroi poeti irlandez John O’Donohue.
Udhëtimi na shpëton edhe nga rutina, që na i lodh ditët dhe na zymton jetën.
Secili ruan kujtime të ndryshme për një vend. Ai që e shijon të tashmen, nuk lodhet me historinë e një vendi, sepse i interesojnë gjërat që ndodhin dhe jo që kanë ndodhur.
Disa udhëtojnë ta çlodhin mendjen, kurse të tjerë mendojnë dhe ëndërrojnë, derisa udhëtojnë.
Disa nuk ndryshojnë edhe pasi të kenë udhëtuar, kurse të tjerë ndryshojnë vetvetishëm, derisa udhëtojnë.
Udhëtimi është edhe vetënjohje. Na çliron nga paragjykimet që kemi për një vend, kulturë, traditë, religjion, komb… “Udhëtimi na mëson tolerancën”, tha Benjamin Disraeli…
MAGJEPSJE DHE TRISHTIM. Sa herë vizitoj vende me histori mbresëlënëse, kam ndjenja të përziera. Kur rikthehem në vendlindje më kaplon njëfarë trishtimi. Për një vend të huaj nuk të rëndon pesha e përgjegjësisë shoqërore, kurse në vendlindje kjo peshë rëndon si gurë Sizifi.
Nëse në vendin që e viziton për herë të parë shijon bukuritë e dukshme dhe të padukshme, në vendin tënd ndodh mos t’i shohësh gjërat e bukura, të cilat, zakonisht, u shfaqen syve të vizitorëve të huaj. Mbase kështu lindi thënia se nëse dëshiron të njohësh vendin tënd, pyeti vizitorët që e shohin atë për herë të parë…
I LEHTË SI AJRI. Derisa bares rrugëve të Salzburgut ndihem i lehtë si flutur. Si prej ajri. Kudo rregull, disiplinë, qetësi, ajër i pastër, monumente kulture, historie dhe qytetërimi.
Në “qytetin e kripës”, me mbi 150 mijë banorë, ndër më të bukurit në Europë, historia shfaqet në formë kështjellash, katedralesh, manastiresh, sheshesh, rrugësh, ndërtesash të vjetra, parqesh, rezidencash, shatërvanësh, skulpturash, universitetesh, muzesh, bibliotekash, sallash koncertale…
Këtu lindën ose jetuan kompozitorë, shkrimtarë, piktorë, shkencëtarë dhe burra shteti të lavdishëm. Ata ndikuan drejtpërdrejt ose tërthorazi në formësimin e identitetit të këtij qyteti ku lartësohet kështjella e lavdishme e shekullit XI, që ruan fshehtësi të panumërta.
Qendra e Salzburgut, e stilit barok, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Qyteti me disa hijerore stoike është qendër universitare. Në disa universitete studiojnë studentë nga mbarë bota.
Salzburgu e ka edhe pjesën e errët të historisë së tij. Këtu ndodhi poshtërimi i disa shkrimtarëve që nuk e imagjinonin se në vendin e paqes dhe të rregullit do të triumfonte histeria naziste. Librat e tyre u dogjën publikisht…
SHTËPIA E MOZARTIT. Salzburgu është vendlindja e Wolfgang Amadeus Mozart-it (1756 –1791), gjeniut me fytyrë dhe gjeste fëmijërore, i cili, siç thuhet, besonte që nëpërmjet muzikës mund të shtegtonte i qetë edhe nëpër natën e zezë të vdekjes.
Mozarti është më i lavdishëm se Salzburgu. Në sheshin e qytetit lartësohet monumenti madhështor i tij. Një shesh i gjerë ku në plan të parë është figura madhështore e kompozitorit të lavdishëm. Se monumenti në hapësirë të ngushtë e humb vlerën, sado gjenialialitet të ketë derdhur aty një artist.
Në qytetet austriake, përfshirë Salzburgun, kudo shiten suvenire dhe aksesorë me portretin e gjeniut. Mozart-i vazhdon t’i shërbejë Austrisë. I sjellë të ardhura të mëdha financiare, edhe pse ajo ishte mosmirënjohëse në të gjallë të tij…
Ja edhe shtëpia ku lindi Mozarti… Partitura me kombinime gjeniale notash, që arrinin nga yjësitë më të thella të qenies së artistit. Mbase arrinin nga një yjësi përtej kësaj qenie dhe derdheshin në partitura.
Ja pianoja dhe violina që, pasi u prekën nga gishtërinjtë e gjeniut, shpërndanë tinguj të përjetshëm nëpër kohëra.
Në këtë shtëpi të ngushtë, me disa dhoma, kthesa, shkallë të shumta dhe me kuzhinën me almise që përdoreshin në shekullin XVIII, i përfytyron lëvizjet e Mozartit, i cili, mbase, nuk e paramendoi që një ditë, po kjo shtëpi, tashmë si muze, do të joshte turistë kulturash, racash e qytetërimesh të ndryshme që i ka magjepsur arti i tij.
Thuhet se muzetë janë të mbushura me art, por aty duhet të shëtisësh symbyllur. Symbyllur e sheh gjeniun e humbur në përmasë tjetër. Në përmasën e artit. Në përmasën e ëndrrës. Në përmasën e përjetësisë. Symbyllur e ndien frymën që mbretëron aty. Pa këtë frymë objektet janë vetëm objekte. Një piano është vetëm një piano. Por kur e di se tastet bardh e zi janë prekur nga gishtërinjtë e gjeniut dhe kanë shpërndarë muzikën e padëgjuar më parë, atëherë, kjo më nuk është vetëm piano. Është instrumenti që krijon art për të gjithë epokat, për të gjithë njerëzit, për të gjithë kulturat dhe qytetërimet.
(Vazhdon)
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.