
Pas paralajmërimit të BDI-së për interpelancë ndaj gjykatësve kushtetues, kryeministri Hristijan Mickoski tha se qëllimi i vërtetë i BDI-së është ta mbulojë krimin e saj. Sipas tij, BDI-së nuk i intereson as çështja e gjuhës e as interpelanca ndaj gjykatësve kushtetues.
“BDI-ja ka më së paku interesim për gjuhën dhe çdo gjë tjetër, duke përfshirë edhe gjykatësit kushtetues. Ata kanë frikë për kapitalin e tyre të fituar në mënyrë kriminale dhe për dyshimet e bazuara për krimet që ndodhën vitet e fundit, sidomos dy vitet e fundit, sepse në këtë mënyrë të egër kriminale me të cilën ndryshuan kodin penal, për fat të keq i dhanë vetes amnisti për krimet e së kaluarës dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë asgjë për këtë”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.
Sipas Frontit Evropian, nëse ka logjikë të kërkohet interpelancë për një anëtar të një këshilli gjyqësor, atëherë ka logjikë të kërkohet interpelancë edhe për gjykatës kushtetues.
“Me këtë logjikë thamë se është e mundur që ne si grup parlamentar të bëjmë interpelancë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas nesh ka tendenca për të hequr disa dispozita nga ligji për përdorimin e gjuhëve, që natyrisht nënkupton shfuqizimin e ligjit për gjuhët, sepse kemi thënë disa herë që ai ligj është rezultat i marrëveshjeve politike, si rezultat i një procesi shumë serioz dhe çdo lëvizje drejt atij ligji nënkupton eliminim të procesit dhe ligjit”, u shpreh Elmi Aziri – Fronti Evropian.
Këtë të premte, Gjykata Kushtetuese pritet të informojë gazetarët për veprimet e mëtutjeshme lidhur me ligjin për përdorimin e gjuhëve.