Stuhi në Australi, qindra njerëz mbeten pa energji elektrike

Qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në Australi pasi një ciklon ka shkaktuar mot të egër në bregun lindor.

Komunitetet në Queensland juglindor dhe në Uellsin e Ri Jugor kanë nisur pastrimin të dielën pasi stuhia ka shkaktuar përmbytje të mëdha dhe ka rrëzuar linjat e energjisë elektrike dhe pemët, raporton BBC.

Trupi i një 61-vjeçari është gjetur nga përmbytjet të shtunën, ndërsa në një incident të veçantë, 12 ushtarë janë dërguar në spital pasi automjeti i tyre është përplasur gjatë rrugës për operacionet e shpëtimit.

Stuhia është dobësuar në kohën kur ka arritur në tokë pranë Brisbane të shtunën mbrëma, por kryeministri Anthony Albanese të dielën ka paralajmëruar vendasit për motin e egër të vazhdueshëm dhe rreziqet nga përmbytjet.

“Situata në Queensland dhe në veri të Uellsit të Ri Jugor mbetet shumë serioze për shkak të përmbytjeve dhe erërave të forta”, ka deklaruar Albanese.

“Reshjet e dendura dhe erërat e dëmshme pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim”, ka shtuar ai.

Cikloni Alfred kishte qëndruar pezull për disa ditë jashtë bregut lindor të vendit si një ciklon i kategorisë së dytë përpara se të dobësohej të shtunën.

Pothuajse 290,000 prona në rajonet e prekura kanë mbetur pa energji elektrike dhe kompanitë e energjisë kanë paralajmëruar banorët se ndërprerjet e energjisë elektrike mund të vazhdojnë për ditë të tëra.