Takimi i kabinetit të Trump: Nervozohet Elon Musk, debaton ashpër me Marco Rubion – çka ndodhi në zyrë

Takimi i kabinetit të Donald Trump duket se nuk ka shkuar siç duhet, pasi Elon Musk dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë debatuar ashpër.

“New York Times” raporton se Musk e ka akuzuar hapur Rubion për mungesë agresiviteti në shkurtimin e stafit të Departamentit të Shtetit, duke e tallur se i vetmi shkarkim që kishte bërë ishte një punonjës nga vetë ekipi i tij për “Efiçiencën e Qeverisë”.

I irrituar nga kjo ndërhyrje, Rubio thuhet se i ka rikujtuar manjatit të teknologjisë se kishte bërë mbi 1,500 largime përmes dorëheqjeve.

Musk ka reaguar pas argumenteve të Rubios, duke e quajtur atë thjesht “të mirë në televizion”, por jo në postin që ka.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Trump ka qëndruar spektator, e më pas ka ndërhyrë për ta mbrojtur Rubion.

Në të njëjtën kohë, ai e siguroi Muskun se misioni i tij për të “pastruar qeverinë” do të vazhdonte, por tani me më shumë rafinim dhe koordinim.

Në fund të takimit, presidenti amerikan shpalli një linjë të re: ministrat do të marrin vendimet, ndërsa ekipi i Muskut do të ketë vetëm rol këshillues.

Ky ishte sinjali i parë i qartë se presidenti është i gatshëm të vërë disa kufij mbi ndikimin e Muskut në administratë, pavarësisht kontributit të tij të madh financiar.