
Një kosovar i cili ka vozitur gjashtë herë makinën nëpër autostrada me shpejtësi deri në 220 km/h është dënuar me një dënim të pjesshëm me tre vjet burg. Burgu efektiv që ai duhet të vuajë, është dhjetë muaj.
Personi tashmë 25-vjeçar nga kantoni Schwyz ka filmuar gjashtë udhëtime në autostradë me shpejtësi deri në 220 kilometra në orë me celularin e tij gjatë viteve 2020/2021, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë ai “ka siguruar” vetë provat për akuzë.
Advertisement
Në prill 2021 ai kishte garuar me një serb në autostradën A3, duke zhvilluar një shpejtësi prej të paktën 200 km/h. Dy personat nuk njiheshin me njëri-tjetrin, ishte një garë spontane – ata kanë vepruar me pëlqim të heshtur reciprok, thuhet në aktakuzë. Në fund ata qenë ndaluar nga policia në Horgen dhe ishin arrestuar. Përveç kësaj, në celularin e kosovarit janë gjetur katër filma me pornografi të ndaluar – përfshirë pornografinë për fëmijë.
Në procesin para Gjykatës së Qarkut në Horgen të martën, i akuzuari ka pranuar veprën. “Ishte një ndjenjë dehjeje,” tha ai, duke shpjeguar shpejtësinë e tepërt që kishte zhvilluar, shkruan 20minuten.ch. Ai donte të përdorte filmimet e celularit për t’u dukur para kolegëve të tij. Ndërsa tani ai ka krijuar ndërkohë një marrëdhënie pozitive me makinën përmes kurseve dhe terapisë dhe ka dy vjet e gjysmë që drejton makinën në mënyrë perfekte.
Atij i është hequr leja e drejtimit për dy vjet. Ai punon në biznesin familjar të prindërve të tij dhe nuk ka precedentë penalë.
Prokurori publik ka kërkuar dënim me burg të pakushtëzuar prej katër vjetësh për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit dhe kundërvajtje të tjera. “Ka shumë akuza dhe jo të lehta që nuk mund të justifikohen më me pakujdesi rinore,” tha ai dhe foli për një sjellje prej macho-je të të riut, të drejtuar nga testosteroni. “Është vetëm falë rastësisë që nuk ka pasur të lënduar apo edhe vdekje”.
Avokati mbrojtës flet për sjellje prej pubertetliu
Për shkak se dy nga katër filmat në celular ishin pornografi për fëmijë, kosovari do të duhej të dëbohet nga vendi për gjashtë vjet – pornografia e fëmijëve është e ashtuquajtura shkelje e katalogut. “Jeta ime do të mbaronte”, është shprehur kosovari, për kërcënimin e dëbimit, përcjell albinfo.ch. Në Kosovë atij do t`i duhej të ndërtonte një jetë krejtësisht të re, pasi ai i kishte rrënjët këtu, në Zvicër.
I akuzuari ka lindur në Zvicër dhe ka një leje qëndrimi të përhershme C. Ai ishte ende i papjekur në atë kohë dhe nuk e dinte se çfarë pasojash do të kishin filmat.
Avokati i tij thotë: “Klienti im ka mësuar mësimet e tij”. Dënimi pa kushte me burg i kërkuar nga prokurori publik do ta largonte të riun nga jeta e tij profesionale. Prandaj ai kërkoi një dënim me kusht me dy vjet burg për klientin e tij dhe që të mos dëbohej nga vendi. “Është një rast i vështirë, klienti im vështirë se ka lidhje me Kosovën”.
Avokati tha gjithashtu se Zvicra ishte atdheu i të pandehurit dhe se dëbimi nga vendi do të ishte një “makth absolut” për të. Ai i ka përshkruar katër filmat e ruajtur në celular si sjellje prej pubertetliu dhe aktet nuk ishin të motivuara seksualisht.
Dëbimi nga vendi do të ishte joproporcional
Gjykata e Qarkut në Horgen e ka dënuar kosovarin me burgim të pjesshëm prej 36 muajsh, me ç’rast duhet të vuajë dhjetë muaj një “gjysmë burgim” (burgim me të drejtë për të vazhduar punën gjatë ditës).
“Ka pasur vozitje të shumta me shpejtësi”, shpjegoi gjyqtari. Gjykata vendosi që megjithatë të mos e dëbojë atë në Kosovë. Ishin “filma pornografikë” të neveritshëm dhe qesharak, por për shkak se ishin vetëm katër sish, dëbimi nga vendi do të ishte “joproporcional”.