Samiti Arab në Kajro miraton planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës

Një samit urgjent arab, i mbajtur në Kajro, ka miratuar planin e Egjiptit për rindërtimin e Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Deklarata përfundimtare e samitit përcaktoi “miratimin e planit të paraqitur nga Republika Arabe e Egjiptit, në koordinim të plotë me Shtetin e Palestinës dhe vendet arabe, bazuar në studimet e kryera nga Banka Botërore dhe Fondi i OKB-së për Zhvillim, në lidhje me rimëkëmbjen e hershme dhe rindërtimin e Gazës si një plan gjithëpërfshirës arab”.

Deklarata e samitit urgjent konfirmoi refuzimin e zhvendosjes së palestinezëve nga tokat e tyre “nën çdo pretekst apo rrethanë”.

Samiti Arab theksoi se caktoi një komitet ligjor arab për të studiuar klasifikimin e zhvendosjes palestineze si pjesë e krimit të gjenocidit.

Deklarata dënoi vendimin e fundit të Izraelit për të ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza dhe për të mbyllur kalimet e përdorura për përpjekjet e ndihmës, duke pohuar se ato masa përbëjnë “shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Deklarata gjithashtu shprehu kundërshtimin e përdorimit të një rrethimi dhe urie të civilëve nga Izraeli si një “mjet për të arritur objektivat politike”.