Mickoski paralajmëron punësimin e 300 ushtarëve të rinj

Parashikohet shpallja e konkursit për rekrutimin e 300 ushtarëve profesionistë në Ushtrinë e Maqedonisë, njoftoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Në një deklaratë për media, kryeministri u bëri thirrje të gjithë të rinjve të interesuar të aplikojnë dhe tha se janë të mirëseardhur nëse dëshirojnë të përfshihen në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

Ai theksoi se do të pranohen të gjithë ata që i plotësojnë kushtet, pavarësisht nga përkatësia etnike.

“Është planifikuar të shpallet konkurs për rekrutimin e 300 ushtarëve profesionistë dhe e shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë atyre të rinjve që duan të përfshihen në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, të përfshihen dhe janë të mirëseardhur. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, të gjithëve që duan të përfshihen në sistemin e sigurisë. Dhe këtu nuk ka përqindje, kushdo që plotëson kushtet do të pranohet. Të gjithë, shprehimisht, të gjithë ata që duan të marrin pjesë në mbrojtjen e atdheut të tyre”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.