
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum ka deklaruar të martën se Meksika do t’u kundërpërgjigjet tarifave prej 25% të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke aplikuar tarifa në produktet nga SHBA-ja, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Sheinbaum ka deklaruar se njoftimi rreth produkteve që Meksika do t’u vendosë tarifa do të publikohet gjatë një organizimi në sheshin qendror në Meksiko City, duke dhënë shenja se Meksika shpreson për shtensionimin e luftës tregtare të nisur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Për dallim prej Kinës, e cila i ka vendosur tarifat menjëherë, Meksika ka vendosur të presë deri të dielën, edhe pse zyrtaret e vendit që nga janari kanë theksuar se e kanë një plan gati për këtë skenar.
Tarifat me të cilat Trump kishte kërcënuar Kanadanë dhe Meksikën, kanë hyrë në fuqi të martën. Duke filluar nga mesnata, importet nga Kanadaja dhe Meksika do të taksohen 25%, ndërsa produktet e energjisë nga Kanadaja do të taksohen 10%.
Si reagim ndaj tarifave ndaj Kinës, Pekin ka njoftuar për tarifa shtesë deri në 15% në importe të produkteve kyçe të bujqësisë dhe blegtorisë nga SHBA-ja, që përfshinë pulën, mishin e derrave, sojën dhe mishin e viçit , dhe i ka rritur kontrollet në bërjen biznes me disa kompani kyçe nga SHBA-ja.
Tarifat e Kinës pritet të hynë në fuqi nga 10 marsi.