
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare doli sot me qëndrim duke kërkuar dhe mbështetur rritjen pagës minimale deri në 500 euro, pasi siç tha nënkryetarja e partisë Kaja Shukova, çmimet po rriteshin disa herë më shpejt se pagat, transmeton Portalb.mk.
Ndryshe, me kërkesë për rritjen e pagës minimale në 500, në vend të 450 euro, siç ishte propozimi fillestar, këtë javë doli Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Duke sqaruar kërkesën, Shukova në konferencën për media tha se treguesit ekonomikë dhe faktet për jetën në Maqedoni flasin qartë se standardi i jetesës së qytetarëve është në rënie të vazhdueshme, duke akuzuar në të njëjtën kohë Qeverinë se nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e gjendjes ekonomike.
Sipas nënkryetares së LSDM-së, qeveria jo vetëm që nuk bën asgjë, por as nuk pranon asgjë që do të ofrojë opozita, të cilat, siç tha ajo, janë masa të dëshmuara për uljen e kostos së jetesës.
“Faktet tregojnë se çmimet po rriten disa herë më shpejt se pagat dhe qytetarët mund të përballojnë çdo ditë e më pak. Energjia elektrike është shtrenjtuar me 20 deri në 30 përqind, ngrohja me 5 përqind dhe do të vazhdojë të rritet, shërbimet janë ngritur në qiell. Çmimet e produkteve ushqimore bazë janë rritur me 30 përqind. Qeveria shpall një lloj bumi ekonomik që nuk ekziston. Vetëm se treguesit ekonomikë janë brutalisht të saktë dhe nuk do të ketë rritje ekonomike, për fat të keq. Prodhimi industrial ra për katër muaj radhazi, ndërsa eksportet ranë me 5.9 përqind.Pasi dështuan të gjitha shportat, është e qartë se Qeveria nuk ka një strategji për të parandaluar luhatjet e çmimeve. Pyetja është se a do ajo”, tha Shukova.
Mundësia e fundit, siç tha ajo, është që Qeveria të ndërhyjë urgjentisht me paga dhe në këtë mënyrë të tregojë një minimum respekti për qytetarët.
“LSDM kërkon dhe përkrah ngritjen e pagës minimale në 500 euro sepse kjo do të nxisë rritjen e të gjitha pagave. Kjo strategji, të cilën LSDM e zbatoi vazhdimisht gjatë kohës që ishte në pushtet, dha rezultate. Falë kësaj qasjeje, me LSDM-në nevojiteshin vetëm dy paga minimale për të mbuluar shportën e konsumit, ndërsa sot me DPMNE-në tre”,tha Shukova.
Siç tha ajo, nëse paga minimale nuk rritet në 500 euro, do të thotë përkeqësim i mëtejshëm i jetës për mijëra familje, të cilat mezi po ia në krye.
Kujtojmë se që nga marsi i vitit 2024, paga minimale në vend është 22.567 denarë (367 euro) në vlerë neto, gjegjësisht 33.352 denarë në vlerë bruto.