Tre shokët që u nisën me kuaj nga Spanja për në Haxh mbërrijnë në Turqi

Tre shokët që u nisën nga Spanja me kuaj për në Haxhin, mbërritën në Türkiye, ndërsa nga qyteti Edirne do të vazhdojnë udhëtimin e tyre më tej, raporton Anadolu.

Abdallah Hernandez, Abdelkader Harkassi dhe Tariq Rodriguez që u nisën nga Spanja tre muaj e gjysmë më parë, po udhëtojnë me kuaj për të përmbushur adhurimin e haxhit dhe për të përjetuar udhëtimin e haxhit të muslimanëve andaluzianë 500 vjet më parë.

Ata kanë mbërritur në Türkiye pasi kanë kaluar përmes Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Türkiyes. Ata kanë lënë kuajt e tyre në Kroaci dhe vazhduan rrugën me kuajt që kanë marrë me qira.

Në pritje të sjelljes së kuajve me automjet, haxhinjtë vizituan Istanbulin dhe më pas erdhën në Edirne ndërsa nesër do të nisen drejt vendeve të shenjta me kuajt e tyre, të cilët pritet të mbërrijnë në qytet këtë mbrëmje.

Abdelkader Harkassi, një nga haxhinjtë tha për gazetarin e AA-së se ata po presin që kuajt e tyre të mbërrijnë në Edirne.

Ai tha se i lanë kuajt me të cilët u nisën nga Spanja në Kroaci për shkak të procedurave në kufi. “Kemi kaluar Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë me kuajt që kemi marrë me qira. Kuajt tanë po vijnë në Türkiye me automjet përmes Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Ne kemi përgatitur dokumentet për mbërritjen e tyre. Ata janë elementët kryesorë të këtij udhëtimi. Duam që ata t’i shohim pranë nesh deri në fund të udhëtimit”, tha Harkassi.

Harkassi tha se fillimisht kanë shkuar në Istanbul për të pushuar dhe për të mbajtur disa takime.

Ai tha se pritja në Istanbul ishte shumë e këndshme dhe se janë trajtuar shumë ngrohtësisht. “Ne pamë mbështetjen dhe dashurinë e popullit turk. U jemi mirënjohës të gjithëve”, u shpreh Harkassi.

Harkassi tha se rrugëtimin e kanë nisur në kushte të vështira të dimrit dhe kanë kaluar 4 mijë kilometra me kalë, që ishte arritje e madhe për ta.

– “Udhëtimi ynë do të fillojë me Ramazanin”

Harkassi thotë se Türkiye ka një kuptim të madh për ta. “Jemi jashtëzakonisht të lumtur që jemi këtu. Me fillimin e udhëtimit tonë në Türkiye, fillon edhe muaji i Ramazanit. Falënderojmë Allahun. Ne duam ta bëjmë të rëndësishme dhe kuptimplotë pjesën e Türkiyes në udhëtimin tonë”, tha ai.

Ai shpjegoi se ende nuk është e qartë se nëpër cilat qytete do të kalojnë dhe se duan të shohin qytete si Istanbuli, Bolu, Ankaraja, Konya dhe Adana.

“Rruga jonë pas Türkiyes varet nga situata e fundit në Siri. Ne duam të shohim situatën më të fundit në Siri. Me ndryshimin e qeverisë, ne duam të përdorim rrugën tradicionale të haxhit duke kaluar nëpër Siri. Kjo pjesë është e rëndësishme për ne. Nëse është e mundur, ne do ta përdorim këtë rrugë, nëse jo do të gjejmë alternativë tjetër. Por, ne duam të kalojmë të gjithë rrugën me kalë”, tha Harkassi duke shtuar:

“Në këtë rrugëtim dëshmuam rëndësinë e ndihmës dhe vullnetit të mirë të Allahut. Për Allahun nuk ka gjë të pamundur. Ai na ndihmon që nga dita e parët të udhëtimit që kemi nisur. Ky udhëtim ishte pothuajse i pamundur në shekullin e 21-të, por me ndihmën e Allahut deri më tani ka qenë e mundur. Të rinjtë nuk duhet të harrojnë se duhet t’i besojnë Allahut, ky besim e bën të mundur çdo gjë”.

– “Është e pamundur të përshkruash ndjenjat tona”

Abdallah Hernandez tha se është i lumtur që po realizon udhëtimin e shenjtë. Ai tha se pret me padurim që të kryejë detyrën e Haxhit.

“Është e pamundur të përshkruaj ndjenjat e mia, por është privilegj i madh të realizoj një udhëtim që nuk është mundur të bëhet për 500 vjet. Arritja në tokat e shenjta do të më emocionojë shumë. Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh. Kur të arrij në tokat e shenjta, do të jem i lumtur dhe i qetë, sepse kam përmbushur detyrën time”, tha Hernandez duke shtuar:

“Motra ime e cila vizitoi Türkiyen 20 vite më parë, më ka thënë se ishte mirëpritur shumë ngrohtësisht në Türkiye edhe pse ajo nuk ishte muslimane. Para disa ditësh më telefonoi dhe më shprehu besimin se si musliman do të pritem shumë mirë gjatë udhëtimit tim në Türkiye. Ne jemi trajtuar me shumë bujari që kur kemi ardhur në Türkiye”.