
Reisi Shaqir Efendi Fetahu ka dërguar mesazhin për muajin e shenjtë të Ramazanit. Ai tha se ky muaj nuk është vetëm privim nga ushqimi, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmojë të formojnë vetëdijen tonë për të mirë, për të forcuar lidhjen me Zotin fuqiplotë dhe për të kultivuar ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, transmeton Portalb.mk.
“Të nderuar besimtarë e besimtare, vëllezër dhe motra, me zemër të hapur dhe shpirt të përulur sonte po hyjmë në muajin e bekuar të Ramazanit, në muajin e agjërimit, në muajin e mëshirës, dijes, tolerancës, humanizmit, muajin e devotshmërisë. Me një fjalë në muajin e të gjitha të mirave, i cili na fton në reflektim, përkushtim dhe afrim me krijuesin e gjithësisë, Allahun fuqiplotë. Ky muaj i madhërishëm na kujton rëndësinë e agjërimit, përulësisë dhe veprave të mira, duke na udhëhequr drejt një pastrimi shpirtëror e fizik. Agjërimi nuk është vetëm një akt i privimit nga ushqimi dhe pija, por një udhëtim shpirtëror që na ndihmojë të formojnë vetëdijen tonë për të mirë, për të forcuar lidhjen me Allahun fuqiplotë dhe për të kultivuar ndjeshmërinë ndaj të tjerëve., Në këtë muaj të dijes dhe urtësisë, le të kërkojmë dituri dhe të thellojmë kuptimin tonë përmes leximit dhe reflektimit”, tha Fetahu.
Ai shtoi se muaji i Ramazanit është gjithashtu një mundësi për të forcuar lidhjes mes nesh, për të ushtruar paqen e tolerancën, mëshirën dhe humanizmin.
“Na fton të jemi më të dashur më të kujdesshëm ndaj njerëzve, e sidomos ndaj atyre që kanë nevoja të veçanta dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe më të paqtë. Nga thellësia e zemrave tona, lusim Allahun e madhërishëm, që ky muaj të sjellë paqe në zemrat tona dhe në mbar botën. Lutemi për ndërprerjen e çdo konflikti dhe për fundin e vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm. Le të jetë ky muaj një periudhë e pajtimi, e faljes dhe afrimit mes njëri-tjetrit. Vëllezër dhe motra më lejoni që në emër të BFI-së dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht një Ramazan të begatë, të mbushur me mirësi dhe mëshirë hyjnore. Allahu na dhëntë forcë, për ta kryer agjërimin me devotshmëri, me lehtësim dhe i lutemi të madhit Zot që të na shpërblejë me faljen dhe mëshirën e tij të pafund. Zoti ju bekoftë juve dhe familjet e juaja. Na qoftë përhajr muaji i agjërimit, muaji i Ramazanit të bekuar”, tha në urimin e tij Fetahu.
Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit Islam. Muaji zgjatë 29 ose 30 ditë bazuar në vëzhgimet pamore të hënës së re dhe sipas llogarive të shumta të hartuara në hadithe.
Ai është muaji i agjërimit, që do të thotë shmangia e ushqimit dhe lëngjeve, marrëdhënieve seksuale, fjalëve dhe sjelljeve të këqija dhe gjërave të tjera të ndaluara në Islam. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe zgjatë nga agimi deri në perëndimin e diellit.