BDI: Zgjedhje të dyfishta në tetor – VLEN: Përgatiten për bojkot

VLEN dyshon që BDI-ja përgatit terrenin për të bojkotuar zgjedhjet lokale të tetorit. Sipas kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, edhe thirrjet e fundit të Ahmetit ndaj VLEN për të lëshuar qeverinë janë në drejtim të krijimit të alibisë për bojkot.

“Informatat tona janë që seriozisht po bisedohet që të mos marrin pjesë në zgjedhje lokale dhe ne këtë e shohim vetëm një lëvizje të z.Ahmeti në drejtim të krijimit të alibisë  që të mos marrë pjesë në zgjedhje. Duke u nisur nga rasti i Tetovës dhe shumë komuna të tjera, ata e kanë problem të gjejnë kandidatë për të dalë në zgjedhje dhe për të garuar. Kështu është rasti edhe në Strugë, edhe në Kërçovë, edhe në Gostivar, edhe në Çair. Sepse fatkeqësisht për ata, njeriu kryesor që ua organizonte të gjithë fushatën zgjedhore sot është në arrati për gjithë atë që i ka ndodhur dhe jo rastësisht ata kanë një kërkesë jo të logjikshme dhe të papranueshme që bashkë me zgjedhjet lokale të vinë edhe zgjedhjet parlamentare dhe e dinë që kjo kërkesë nuk do të pranohet”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, një ditë më parë, nga takimi me mbështetësit e Çairit, i bëri thirrje VLEN-it ta lëshojë qeverinë, duke premtuar se ata vetë nuk do të bëheshin pjesë e saj.

“Si mund t’u shkojë mendja këta të heqin gjuhën shqipe të larë me gjak. Turp. Të heqin përfaqësimin e drejtë… Prandaj këta tanët që janë andej, le t’i braktisin këta institucione. Ne nuk shkojmë, ne nuk pranojmë. Ne pranojmë vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme në tetor, bashkë me ato lokale”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Zgjedhjet lokale duhet të mbahen në tetor. BDI-ja kërkon edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak se qeverinë aktuale e konsideron pa legjitimitet etnik.