
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk është i gatuar që të bëjë një marrëveshje me shqiptarët, e që në thelb të saj është njohja reciproke.
Ndër të tjera, në emisionin “DPT te Fidani”, Kamberi tha se Vuçiq ka arritur t’i fitojë zgjedhjet radhazi, për shkak se manipulon me sistemin zgjedhor, e sidomos sipas tij, me votat e serbëve në Kosovë e në Bosnje, transmeton Klankosova.tv.
Ai shtoi se Vuçiqi po ashtu ka arritur që të blejë kohë për të shtyrë sa më shumë ballafaqimin e drejtpërdrejtë me Kosovën.
“Vuçiqi në vazhdimësi ka tentuar të blejë kohë, dhe ia ka arritë. Ka arritë që në një formë të jetë i përkëdheluri i Perëndimit, sidomos i Gjermanisë, ia ka arritë që të blejë kohë për të shtyrë dhe prolongojë sa më tepër çështjen e ballafaqimit të drejtpërdrejtë me Kosovën. Ka arritur që të mobilizojë masa të tëra për zgjedhjet e shpeshta që po mbahen atje, pikërisht në ideologjinë e kundërt, mosarritjes të marrëveshjes me Kosovën. Dhe ai e ka shfrytëzuar me mjeshtëri elektoratin serb, nacionalizmin atje, që në vazhdimësi t’i fitojë zgjedhjet bindshëm, edhe duke e manipuluar sistemin zgjedhor, edhe me votat e serbëve të Kosovës, e sidomos të serbëve të Bosnjës”, tha deputeti shqiptar.
“Përfundimisht, Aleksadar Vuçiq nuk është i gatuar që të bëj një marrëveshje me shqiptarët në të cilën njohja reciproke do të ishte ne qendër”.