
Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) me një kapacitet prej mbi 100 inspektorësh këtë javë po kryen inspektime masive për të parë nëse supermarketet dhe dyqanet po e respektojnë masën e kufirit të marzhit. Në të njëjtën kohë në vijim e sipër është një procedurë e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK), e cila ka për qëllim të përcaktojë nëse katër supermarkete të mëdha, së bashku me Unionin e Odave të Tregtisë (UOT) kanë bashkëpunuar për të ndikuar te çmimet, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka konfirmuar se është ngritur procedurë kundër katër kompanive për gjoja “marrëveshje të fshehta”. Këto kompani mund të përballen me gjobë deri në 10 përqind të të ardhurave të tyre të regjistruara në vitin e kaluar, që do të nënkuptonte me dhjetëra milionë euro.
Portali “Vetëm pyet (Samo prashaj)“ publikoi dokumente të cilat tregojnë se Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) këtë muaj ka iniciuar dy procedura kundërvajtëse:
E para nga data 20.02.2025 është për katër supermarkete të mëdha – VERO, Tinex, KAM dhe Reptil – së bashku me Unionin e Odave të Tregtisë (UOT), të cilët, siç thuhet në dokument, “kanë lidhur një marrëveshje të ndaluar për të ndikuar tek çmimet”, që sipas Komisionit përbën një çrregullim të konkurrencës.
E dyta, nga data 21.02.2025, është vetëm kundër Unionit të Odave të Tregtisë (UOT) për dorëzim të të dhënave të pasakta, të paplota ose të dhënave të cilat mund ta mashtrojnë Komisionin për Vendimmarrje për Kundërvajtje. Për këtë veprim UOT mund të gjobitet me 1 përqind të të ardhurave të saj.
Коmisioni në 20 shkurt njoftoi se ka ushtruar kontroll në ambientet e kompanive, ku ka kontrolluar dokumentacionin dhe mjetet e komunikimit elektronik, me ç’rast ka gjetur dëshmi që kompanitë kanë marrë një vendim të paligjshëm dhe e kanë shpallur atë publikisht.
“Subjektet e inspektuara në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës kanë marrë një vendim të ndaluar, gjegjësisht kanë rënë dakord që të veprojnë bashkë dhe të mos blejnë mallra nga furnitorët të cilët do të kenë çmimore të reja për produktet e tyre, për çka është ngritur procedurë kundërvajtëse”, thuhet në njoftimin e Komisionit.
Sa do kenë efekt masat?
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës hapi hetimet pak ditë pasi Qeveria më 18 shkurt i miratoi masat e reja për kufizimin e marzhit, me të cilat njëkohësisht njoftoi edhe për ndëshkime rigoroze në kushte të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Por, analisti ekonomik Branimir Jovanoviq është i mendimit se masat e Qeverisë dhe kontrollet rigoroze të paralajmëruara nuk do të sjellin deri në ulje të çmimeve, sepse sipas tij, kufizime të tilla të marzhit janë zbatuar edhe më parë, madje në një nivel më të ulët, por pa asnjë efekt.
Ai shpjegon se arsyeja për këtë është se kontrolli i marzhit është kompleks dhe “nuk mund të kryhet thjesht duke i kontrolluar çmimet, por kërkon një analizë të thellë të faturave dhe kontabilitetit të kompanive”, thotë ai.
Jovanoviq shton se institucionet shtetërore nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për kontrolle të tilla, sidomos tani që masat përfshijnë rreth 1.000 produkte. Jovanoviq po ashtu është i mendimit se Qeveria është e vetëdijshme për këtë, pasi të njëjtat masa i ka kritikuar kur në të kaluarën zbatuar nga qeveria e kaluar.
Megjithatë, sipas tij, qëllimi thelbësor i Qeverisë nuk është që t’i ulë çmimet, por të krijojë bindjen se po ndërmerr veprime me qëllim që t’i qetësojë kritikat nga opinioni.
ISHT njofton për kontrolle të rrepta
Këtë javë Inspektorati Shtetëror i Tregut me 50 ekipe inspektuese po kryen inspektime në terren në më shumë se 1.000 objekte të shitjes me pakicë për të siguruar se ato po e respektojnë kufizimin e marzhit bruto të fitimit.
“Inspektimi do të jetë gjithëpërfshirës”, tha drejtori i Inspektoratit Vllatko Stojkovski.
Ai thotë se do të angazhohet i gjithë kapaciteti i Inspektoratit me mbi 100 inspektorë, të cilët do të kontrollojnë gjithçka –nga supermarketet e mëdha, dyqanet e vogla, kiosqet dhe dyqanet e frutave dhe perimeve, e deri te pikat e shitjes së karburantëve dhe farmacitë.
Do të kontrollohet respektimi i kufizimit të marzhit për 102 grupe të produkteve që përshijnë më shumë se 1.000 artikuj bazë ushqimorë dhe jo ushqimorë, vendim ky të cilin e solli Qeveria më datën 18 shkurt.
“Qëllimi jonë janë furnitorët, importuesit dhe prodhuesit. Rezultatet e para do t’i kemi të premten ose të shtunën, ndërsa më pas do të vijojë analiza e detajuar. Ne do të bëjmë krahasim nëse çmimet që i shohim si konsumatorë janë në përputhje me marzhet ligjore prej 5, 10 ose 15 përqind. Inspektorët do të punojnë edhe në fundjavë – jemi mobilizuar si kurrë më parë. Javën e ardhshme do të jetë e qartë nëse do të ketë gjoba”, tha Stojkovski.
Ndërsa sa i përket dënimeve, sipas dispozitave të reja ligjore ato janë më të larta, e me të cilat parashihen gjoba nga 500 deri në 10 mijë euro, madje edhe mbyllje e objektit deri në 15 ditë.
Opozita kërkon uljen e TVSH-së
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi kontrolle në supermarkete pas koordinimit me ministrin e ekonomisë, zëvendësministrin, kryetarin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut për çmimet në supermarkete.
Ky njoftim vjen pas reagimeve të qytetarëve për çmimet e larta dhe bojkotin e supermarketeve.
Mickoski theksoi se dy rrjete të supermarketeve, të cilat sipas disa informacioneve ka gjasa që i anashkalojnë ligjet, në ditët në vijim do t’i nënshtrohen kontrolleve rigoroze. Krahas supermarketeve, kontrolleve të tilla do t’i nënshtrohen edhe objektet e tjera tregtare, shtoi ai.
Nga ana tjetër, opozita beson se rritja e çmimeve mund të zbutet me uljen e TVSH-së për energjinë elektrike dhe produktet bazë ushqimore. Për këtë arsye ajo në Kuvend ka dorëzuar një propozimligj me të cilin TVSH-ja për energjinë elektrike nga 18 përqind do të ulej në 5 përqind ndërsa për produktet ushqimore bazë nga 5 përqind në 0 përqind, e për miratimin e të cilit kërkon mbështetje.
Deputeti Fatmir Bytyqi tha se kjo është një përgjigje sistematike ndaj rritjes së shpenzimeve për jetesë dhe paralajmëroi se çdo anulim i kësaj mase do të thotë një ngarkesë shtesë financiare për qytetarët.
Kërkohet transparencë ë e madhe nga supermarketet
Ndërkohë, më 25 shkurt, Kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, me të cilat pritet të ketë një transparencë më e madhe e çmimeve në supermarkete, të përmirësohet konkurrenca dhe potencialisht të ulen çmimet e produkteve.
Dispozitat e reja e detyrojnë industrinë e shitjes me pakicë, e cila i përfshin tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, t’i publikojnë çmimet e produkteve të tyre në uebfaqet e tyre, gjë që do tu mundësojë konsumatorëve të jenë më të informuar dhe të kenë qasje të lehtë në informacione relevante.
Tregtarët që kanë më shumë se një objekt për shitje do të duhet t’i publikojnë çmimet për çdo objekt në veçanti. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe gjoba për tregtarët që nuk i respektojnë këto detyrime, si dhe për ata që do i injorojnë inspektorët shtetërorë të tregut.