
Edhe un’ jam si ky ujë,
historinë e kam në deje;
akullnajat që bënë bujë
dhe lymin e një rrëkeje.
Jam burimi, lashtësia,
vala që ka lagur brigjet;
e mban brenda thellësia
krenarinë që përligjet.
Tanësisë un’ i dorëzohem,
bukurisë së tretun shqim;
si ky ujë shndërrohem,
nga syprina marr shkëlqim.
Kur vjen dita të largohem,
për të mos u kthyer kurrë,
edhe unë shkumbëzohem
e rrëshqas teposht’ ndër urë.
Kaloj male e kaloj ara,
gjarpërohet udha ime;
Drini i zi që rrjedh përpara
lë pas varkat plot kujtime.
(idemisai)
Strugë,
30 korrik 2024
Foto te Vanila.