Deputeti Salim Sulejmani viziton lokalitetin arkeologjik në Ladorisht: “Trashëgimia kulturore duhet të ruhet, jo të braktiset”

Bazilika e Ladorishtit, një monument i rëndësishëm historik dhe kulturor që daton nga shekulli VI, ndodhet sot në një gjendje të mjerueshme, i braktisur nga institucionet përgjegjëse. Ky lokalitet arkeologjik, që pasqyron trashëgiminë iliro-arbërore dhe zhvillimin e arkitekturës në Ballkanin e hershëm, mbetet pa mbrojtje dhe pa asnjë ndërhyrje për restaurimin e tij shkruan Strugalajm.

Deputeti Salim Sulejmani, gjatë një vizite në këtë lokalitet së bashku me Kryetarin e Bashkësisë Lokale, Xhevdet Dauti, Kryetarin e Rinisë së fshatit Ladorisht, Altin Lena, dhe aktivistin Shkelzen Hajrullai, u njoh nga afër me gjendjen alarmante të monumentit.

“Është e papranueshme që një pasuri kaq e rëndësishme për historinë dhe identitetin tonë të lihet në mëshirën e fatit. Komuna e Strugës ka dështuar në ruajtjen e këtij thesari kulturor, ndërsa institucionet përgjegjëse si Muzeu Arkeologjik dhe Ministria e Kulturës nuk kanë bërë asnjë hap konkret për ta mbrojtur,” deklaroi deputeti Sulejmani.

Ai theksoi se do të ndërmarrë hapa urgjentë për të kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse me qëllim restaurimin dhe mbrojtjen e këtij monumenti të pazëvendësueshëm.

Bazilika e Ladorishtit nuk është vetëm një pjesë e historisë së Strugës, por një pasuri kombëtare që duhet të ruhet për brezat e ardhshëm. Apeli për mbrojtjen e saj mbetet një thirrje urgjente për institucionet, që të veprojnë para se të jetë tepër vonë.