
Borisllav Krmov, Artan Grubi, Fatmir Mexhiti, Arbër Ademi, Ilir Demiri, janë vetëm disa nga ish-deputetët, ministrat dhe drejtorët që u gjobitën me nga 300 euro nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), njoftuan sot nga ky Komision. Ata publikuan një listë me mbi 80 ish-zyrtarë dhe aktualë që shkelën ligjin, transmeton Portalb.mk.
“Në përputhje me nenin 98 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, është e detyruar të publikojë publikisht informacionin për kontrollet e kryera, procedurat e kryera dhe gjobat e shqiptuara për kundërvajtjet e kryera. Deri më tani, që nga miratimi i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, KSHPK-ja nuk e ka publikuar këtë informacion publikisht dhe Komisioni njofton se kjo do të jetë praktikë e rregullt në të ardhmen. Informacioni i publikuar do të jetë i disponueshëm për një periudhë dy vjeçare pas publikimit të tij dhe përmban kryesin e veprës, kundërvajtjen, përshkrimin e veprimit që përbën kundërvajtje dhe shumën e gjobës së shqiptuar”, njoftuan nga KSHPK.
Siç thuhet në njoftim, me publikimin e këtij informacioni, KSHPK-ja synon të informojë publikun për të inkurajuar qytetarët dhe institucionet që të respektojnë normat ligjore.
“Presim që me përmbushjen e këtij obligimi ligjor të rritet besimi në proceset e mbikëqyrjes dhe kontrollit, por edhe të forcohen përpjekjet për parandalimin efektiv të korrupsionit dhe konfliktit të interesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut. KSHPK vlerëson se kjo masë është jashtëzakonisht domethënëse për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së çdo institucioni në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratë.
Kjo lidhje përmban emrat e të gjithë zyrtarëve që do të duhet të paguajnë gjoba.
Kujtojmë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) pas reagimeve të shumta në opinion në janar hapi lëndë për udhëtimet e zyrtarëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut për inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump.