
Ndryshimi i simboleve shtetërore si stema dhe himni në Maqedoninë e Veriut së fundmi janë bërë temë e përditshme në jetën politike. Debati publik pasqyron mes tjerash edhe ndasitë midis shqiptarëve dhe maqedonasve, për nevojën por edhe modalitetet rreth stemës dhe himnit, shkruan Portalb.mk.
Së fundmi, është hapur edhe tema për ndryshimin e stemës shtetërore, himnit dhe simboleve tjera që kanë të bëjnë me identitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Si rrjedhojë me qëndrim politik ka dalë sot Zeqirija Ibrahimi, kryetar i partisë Alternativa, e cila është pjesë e koalicionit VLEN, partner në qeverinë aktuale me VMRO-DPMNE-në së dhe ZNAM-in.
“Jam dakord se stema e shtetit nuk e pasqyron saktë identitetin e shtetit tonë të ri, por nëse jemi gati të flasim për këtë temë, kjo është edhe një mundësi e mirë për reforma reale dhe të nevojshme që do ta ritrajtësonin edhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Ne e kemi për detyrë ta ndryshojmë edhe preambulën e Kushtetutës për ta zhbllokuar kështu rrugën tonë të integrimit europian. Ky nuk është vetëm një hap politik, por edhe një lëvizje strategjike drejt stabilitetit dhe zhvillimit”, tha Ibrahimi.
Po ashtu, sipas Ibrahimit, shteti ka nevojë për një tekst të ri të himnit shtetëror, që do të jetë gjithëpërfshirës, duke siguruar inkluzivitet për të gjithë qytetarët e vendit.
“Po aq e rëndësishme është edhe heqja e emërtimit pezhorativ “20%” për gjuhën shqipe, sepse shqipja nuk është kategori statistikore, por është gjuha e një popullsie auktoktone dhe të konsiderueshme, andaj duhet të njihet në përputhje me rrethanat. Në këtë pako duhet ta definojmë edhe familjen si një bashkësi mes një burri dhe një gruaje, kjo në përputhje me vlerat tona tradicionale. Janë këto ndryshime që, përtej simbolikës, mundësojnë një kohezion më të madh shoqëror, që e garantojnë integrimin europian, që e avancojnë barazinë gjuhësore dhe mundësojnë një identitet nacional gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar kryetari i Alternativës, Ibrahimi.
Në një intervistë për Racin.mk lidhur me ndryshimet e simboleve shtetërore, kryetari i LD-së, njëherazi edhe zëvendëskryeministër, Izet Mexhiti theksoi se ende nuk ka marrëveshje politike për stemën shtetërore, por se diskutimet janë duke u zhvilluar.
“Nëse stema daton në kohën e komunizmit dhe himni është në atë kohë, lind edhe çështja e gjuhës shqipe. Të gjithë e dinë se mbi 20% e qytetarëve flasin gjuhën shqipe dhe mendoj se edhe komuniteti më i madh, gjegjësisht maqedonasit, duhet të punojnë për këtë që shqiptarët të mos ndihen të poshtëruar dhe të identifikohen me një numër për gjuhën e tyre, por në Kushtetutë të precizohet se bëhet fjalë për gjuhën shqipe në nivel republikan, ashtu siç mund të bëhet fjalë për turqishten, serbishten dhe gjuhët e tjera në nivel lokal”, tha Mexhiti.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore.
Ndërsa, partneri i VLEN dhe VMRO-DPMNE-së, nga partia ZNAM, Maksim Dimitrievski është kategorik se stema nuk duhet të preket.
“Stema shtetërore i plotëson të gjitha nevojat dhe pasqyron plotësisht ikonografinë bashkëkohore të Maqedonisë”, tha Dimitrievski.
Në një linjë me ZNAM është edhe presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila beson se himni kombëtar nuk duhet të ndryshohet dhe ndryshimi i stemës mund të shkaktojë konflikte të reja.
“Pas rënies së Jugosllavisë, të gjithë zgjatën dorën për të ndryshuar simbolet shtetërore. Nëse po më pyesni për himnin, mendoj se absolutisht nuk duhet ndryshuar. Himni nuk pasqyron kurrë të tashmen, gjithmonë pasqyron kujtesën historike, gjenezën dhe ne nuk kemi të drejtë ta ndryshojmë. Nuk kam dëgjuar të ndryshojnë njerëz edhe brenda Bashkimit Evropian. Në përpjekjen për miratimin e Kushtetutës në vitin 2005, ishte paraparë ndryshimi i himnit, por nuk ndodhi. Të gjithë popujt gjatë historisë kanë krijuar këngë ose himne që janë simbolet më të rëndësishme shtetërore, dhe për këtë arsye tekstet e himneve në shumicën e vendeve janë në Kushtetutë. Përshkrimi i flamurit është në Kushtetutë. Stema është përshkruar në Kushtetutë. Pra, në ligjin mbi ligjet”, tha Siljanovska-Davkova.
Sipas presidentes stema shtetërore ka simbole që tregojnë më shumë për gjeografinë sesa çdo gjë që ka qenë një shenjë gjatë historisë. Siljanovska i frikësohet konflikteve nëse ngrihet kjo çështje.
“Kam vetëm një dilemë, për momentin e hapjes së çështjes. Nuk e mohoj që gjatë historisë simboli më i përhapur ka qenë luani i kuq mbi një bazë ari. Por dilema ime është që sa herë që fillojmë të diskutojmë për çështje të tilla etnike, simbole, e bëjmë me aq pasion sa nuk kemi kohë të përballemi me dilemat e vërteta. Kam frikë se do të futemi në konflikte të reja. Simbolet duhet të bashkojnë, jo të ndajnë”, tha presidentja Siljanovska-Davkova.
Kundër ndryshimit të stemës shtetërore janë deklaruar nga LSDM-ja opozitare. Ndërsa BDI ka shprehur mbështetje të në pakon e ndryshimeve të përfshihet edhe himni.
Në 2014 u propozua stemë skandaloze pa elemente shqiptare
Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.
Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.
Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.
Rikujtojmë dhe deklaratën e Lëvizjes Besa në vitin 2014, e cila tha se e gjykon si manipulim të rëndë me simbolet e shtetit vendosjen e një simboli partiak si simbol shtetëror dhe e konsideron këtë si veprim antishtetëror dhe, aq më shumë, antishqiptar, sepse ky simbol është kundër realitetit shoqëror shumetnik në Maqedoni, e veçmas kundër kombit të dytë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Prandaj, që të mos thellohet edhe më shumë ndarja e komuniteteve në Maqedoni, BESA kërkon që Qeveria e Republikës së Maqedonisë ta rimendojë këtë propozim, ndërsa subjekti shqiptar në këtë Qeveri të mos kërkojë shpjegime, gjoja shqiptare, për ta arsyetuar dështimin e tyre në këtë qeverisje dhe të dëshmojnë se nuk janë aty vetëm numra pa asnjë rëndësi përmbajtjesore.” thuhej mes tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa.
Ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.