Snopçe: Hipokrizi totale kur BDI flet për balancuesin

Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, në seancën e sotme parlamentare ka reaguar ndaj kritikave rreth balancuesit dhe përfaqësimit të drejtë në administratë, duke theksuar se ish-ministrat e BDI-së vetë kanë nënshkruar për heqjen e tij në programin qeveritar 2024-2029.

“Është hipokrizi totale të flitet për balancuesin, ndërsa asnjë ministër i BDI-së në qeverinë e kaluar nuk ka dhënë vërejtje për ta mbajtur këtë mekanizëm. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, që nga vendosja e balancuesit në vitin 2016, përfaqësimi i shqiptarëve është rritur vetëm me 1%, ndërsa nga 2002 deri në 2016 kjo rritje ka qenë rreth 8%”, deklaroi Snopçe.

Ai gjithashtu i është përgjigjur akuzave për përfaqësimin dhe punësimet në institucione, duke theksuar se disa struktura janë shndërruar në hapësira për punësime familjare.

“Disa instanca janë kthyer në vende punësimi për nipa, vëllezër, motra, kunata e të afërm të zyrtarëve. Këto nuk janë fjalët e mia, por të statistikave dhe raporteve zyrtare që kanë dalë në opinion ditëve të fundit. VLEN nuk merret me këto lloj punësimesh”, shtoi ai.

Deputeti i VLEN-it tha se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë është në proces dhe do të sillet së shpejti në Kuvend.