RMV, autostrada do të ndërtohet mbi varrezat, qytetarët protestojnë

Banorët e fshatit Zdunjë protestuan të revoltuar për shkak se po u shkatërrohen varrezat. Traseja e autostradës së korridorit 8 kalon mbi varreza, ndaj kërkojnë ndërprerjen e punimeve, raporton TV21.

“Punimet që zhvillohen këtu na i marrin një pjesë të varrezave të fshatit dhe ne si banorë të fshatit Zdunjë jemi kundër kësaj. Udhëheqësia e Xhamisë së Zdynjës dhe BFI janë ata që mbyllën sytë ndaj marrjes së këtij vendi. Udhëheqësia e vjetër e xhamisë u ndërrua sepse kundërshtuan këtë situatë, dhe e dorëzuan xhaminë dhe varrezat e fshatit BFI-së, dhe për këtë sot na merren varrezat. Ka dy muaj që peticionin e bërë e kemi dërguar në BFI, por asnjë përgjigje nga askush nuk ka ende. Thonë gjoja se janë ankuar por dokument nuk kemi”, deklaroi Faruk Ferati nga Bashkësia Lokale në Zdunje, Gostivar.

I pyetur për këtë, Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski tha se kontratën me kompaninë e ka bërë Qeveria e kaluar.

“Për sa i përket Korridorit 8, kontraktor atje është konsorciumi Bechtel dhe Enka. Sipas ligjeve të miratuara nga qeveria e kaluar dhe përgjegjësitë janë tërësisht të tyre, ata bëjnë projektimin dhe bëjnë trasimin. Ajo që mund të them është se do të flasim me ta. Kemi takime javore dhe flasim. Ne kemi folur tashmë për këtë një herë, ka pasur probleme të ngjashme në vende të tjera dhe do të bëjmë gjithçka për ta zgjidhur problemin”, deklaroi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

Problem kanë edhe banorët e Banjicës pasi autostrada kalon pranë shtëpive të tyre.

Ndryshe, në qershor të vitit 2024, shpronësimi i tokave ka shfaqur revolt te banorët, pronarë të tokave ku do të realizohet ndërtimi i dy autostradave në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht Koridoreve 8 dhe 10 nga kompania “Bechtel&Enka”.

Të njëjtit kanë dalë disa herë në protesta duke bllokuar rrugët, për shkak të çmimit të ulët vlerësues për tokat e tyre.