
Numrin tim e dini, ofroni fakte dhe prova. Kjo është përgjigja e kryeministrit Hristijan Mickoski, ndaj akuzave të BDI-së kundër zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit Ekologjisë, Izet Mexhiti, shkruan Alsat.
Mickoski, thekson se ka besim në punën e Mexhitit, ndërkaq BDI-në e porositë që të mos shpërndajë mjegull dhe i rikujton se derisa ishte në pushtet, emri i dytë i kësaj partie ishte korrupsioni.
“Në të kundërtën, patjetër duhet t’i paralajmëroj BDI-në se vazhdojnë të shpërndajnë pupla, të merren me mjegull. Mjegull e cila është e ngarkuar me fjalën korrupsion, pasi që ai ishte emri i dytë i korrupsionit në të kaluarën, në të cilën atributi kryesor ishte Qendra Tregtare Soravia në Shkup, automjetet Rols Roys të krushqive, hapësirat biznesore të familjes së ish nënkryetarit të atëhershëm dhe shefit të kabinetit të zotëri Ahmetit e kështu me radhë. Mundem, një pres-konferencë të tërë t’ua radhis skandalet. E kuptoj se ajo është Frojd, sundon me nëndijen e tyre, por unë absolutisht kam besim në punën e zotëri Mexhitit”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Paraprakisht, nga BDI akuzuan se ministri Mexhiti është zhveshur nga kompetenca dhe të njëjtat i janë ngarkuar një drejtori të emëruar nga VMRO, pas akuzave për korrupsion dhe shantazh. Sipas tyre, kjo ka ndodhur pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, të cilët siç thonë nga BDI, kanë vërtetuar keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet.
“Ky veprim ka ardhur si pasojë e ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarë dhe kompani, të cilët janë kushtëzuar nga kabineti i Mexhitit për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve administrative”, u shprehën nga BDI.
Ndaj akuzave, reaguan nga Ministria e Mexhitit, të cilët ftojnë organet të hetojnë pretendimet, sipas tyre të rrejshme. Ata thonë se akuzat e opozitës, vijnë në kohën kur Ministria dhe Inspektorati i Mjedisit Jetësor, po zbulojnë skandale të panumërta nga qeverisja e kaluar.
“Imagjinoni, binomi LSDM-BDI që keqpërdori qindra miliona euro nga shteti në kohën e krizës COVID, krizës me inflacionin dhe krizës energjetike, binom i cili i dha licenca 20 fabrikave të marijuanës, qindra kazinove në çdo lagje, me zëvendëskryeministra në lista të zeza, po tenton të krijojë temë nga një procedurë administrative, të cilën si praktikë e kishin instaluar vet LSDM-BDI, ndërsa ne tani po e mënjanojmë”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Nga dikasteri i ekologjisë thonë se janë transparent dhe të hapur për çdo organ hetimor që dëshiron të verifikojë gjendjen.