
Bashkimi Demokratik për Integrim ka lëshuar sot akuza ndaj VELN-it për korrupsion në Ministrinë e Mjedisit dhe mostransparencë në ndarjen e fondeve në Ministrinë e Kulturës. Nga ana tjetër, VLEN ka reaguar duke thënë se BDI është mirë të bëjë veting brenda në parti duke filluar nga Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.
“BDI denoncon edhe njëherë skandalin e rëndë të korrupsionit në Ministrinë e Mjedisit, ku pas një kontrolli të Inspektoratit për Administratë, është konfirmuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe kabinetit të tij. Por pyetja që mbetet pa përgjigje është: Çfarë roli ka shefi i kabinetit të Mexhitit në këtë aferë? Burime të besueshme nga brenda Ministrisë së Mjedisit raportojnë se shefi i kabinetit të Mexhitit ka qenë figura kyçe në skemën e kushtëzimeve dhe ryshfeteve, duke ushtruar presion ndaj kompanive dhe qytetarëve për çdo shërbim administrativ”,thuhet në akuzën e BDI-së.
Nga licencat dhe lejet mjedisore, sipas BDI-së, deri te procedurat e zakonshme burokratike, “asgjë nuk kalonte pa miratimin e tij dhe skemave korruptivetë drejtuara nga kabineti i Mexhitit”.
“Të njëjtët individë kanë qenë të përfshirë në skema të ngjashme korruptive edhe në Komunën e Çairit, duke e shndërruar atë në një makth urbanistik për qytetarët. Përmes lejeve të dhëna në mënyrë korruptive, ata kanë degraduar hapësirën urbane dhe kanë shkatërruar cilësinë e jetës në këtë zonë”,theksojnë nga kjo parti.
BDI kërkon nga institucionet hetimore që të zgjerojnë hetimet jo vetëm ndaj Mexhitit, por edhe ndaj personave kyç në kabinetin e tij, përfshirë shefin e tij të kabinetit, “i cili për muaj me radhë ka drejtuar një sistem të mirëorganizuar të shantazhit dhe korrupsionit brenda Ministrisë së Mjedisit”.
Kjo parti ka lëshuar akuza edhe ndaj Ministrisë së Kulturës, ku thonë se Sarana Ademi, e cila është shefe kabineti në partinë e zv. kryeministrit Izet Mexhiti, Lëvizja Demokratike, është emëruar si anëtare e komisionit të muzikës. Kjo, sipas BDI-së, ngritë dyshime serioze mbi transparencën dhe integritetin e ndarjes së fondeve për projektet kulturore në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
“Ky fakt vetëm sa forcon bindjen se procesi nuk ka qenë i bazuar në meritokraci, por në përkatësi partiake dhe klienteliste. Andaj bëjmë kërkesë publike për hetim nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korupsionit lidhur me këtë rast të emërimit.Duke pasur parasysh të gjitha këto shkelje të standardeve profesionale dhe të përfaqësimit të drejtë, i bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korupcionit që të nisë një hetim të plotë mbi mundësinë e shkeljes së ligjit dhe konfliktit të interesit nga Sarana Ademi. Si një përfaqësuese zyrtare e një partie politike, përfshirja e saj në një komision që duhet të jetë profesional dhe i paanshëm bie ndesh me parimet e një procesi të drejtë dhe meritokratik. Transparenca dhe llogaridhënia janë të domosdoshme për të siguruar se fondet publike shpërndahen në mënyrë të ndershme dhe në shërbim të kulturës, jo të interesave të ngushta partiake. Njëkohësisht bëjmë thirrje deri tek Ministri i Kulturës dhe Turizmit që të shkarkoj anëtaren në fjalë dhe të rishikoj emërtimet e anëtarëve tjerë”, thuhet në akuzat e BDI-së.
Ministria e Mjedisit Jetësor, reagoi duke thënë se është i kuptueshëm nervozizmi i BDI-së, pas skandaleve që dalin çdo ditë në shesh.
“E kuptojmë nervozën e binomit BDI-LSDM që vjen pas skandaleve të njëpasnjëshme që po dalin në shesh çdo ditë, dhe që po nxjerr në dritë skandelet dhe keq qeverisjen e tyre. E kuptojmë këtë shqetësim në periudhë kur kjo Ministri dhe kjo Qeveri po zhvillon në pak muaj projekte me buxhete që binomi BDI-LSDM nuk i ka zhvilluar për shumë vite qeverisje të paaftë”, thonë nga kjo Ministri.
VLEN nga ana tjetër thotë se BDI vazhdon të përpiqet ta mashtrojë opinionin me premtimet e tyre të rreme për veting dhe “pastrim të brendshëm”.
“Nëse vërtet duan të luftojnë korrupsionin, le të fillojnë nga Bujar Osmani, njeriu që çuditërisht u shpëtua nga përgjegjësia gjyqësore. BDI, në vetingun e saj, le të verifikojë se kush e shpëtoi Bujar Osmanin nga ndëshkimi gjyqësor. Lënda e ngritur nga PSP kundër tij përfundoi në mënyrë misterioze pa proces gjyqësor! Kush ishin ata që e mbrojtën dhe pse institucionet heshtin? Kush e ndihmoi të shpëtojë nga akuzat për korrupsion dhe shpërdorim të funksionit? Kujt i detyrohet Bujar Osmani për lirinë e tij, këtë duhet ta sqarojë BDI. BDI, në vetingun e saj, le të verifikojë nepotizmin e Bujar Osmanit. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kuadrot nuk u përzgjodhën sipas kritereve profesionale, por sipas lidhjeve personale me Bujar Osmanin dhe shokun e tij, Artan Grubin. Janë punësuar miq, të afërm dhe shokë, e jo kuadro të afta dhe të kualifikuara. BDI, në vetingun e saj, le të hetojë edhe tenderët që Bujar Osmani i dha për firmat partiake”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Ata shtojnë se Ministria e Punëve të Jashtme u shndërrua në një qendër korrupsioni, ku u dhanë tenderë miliona eurosh për firma të afërta me BDI-në.
“Firmat e kolegëve të tij partiakë morën tenderë me shuma milionëshe për ngjarje që zgjatën vetëm një ose dy ditë. Është e rëndësishme që BDI të zbulojë se ku përfunduan ato para. BDI, në vetingun e saj, le të verifikojë nëse Bujar Osmani ishte ministër apo thjesht një hije dhe shok i Artan Grubit?Bujar Osmani ishte ndërmjetësi i mesazheve midis Shkupit dhe Budapestit, duke sjellë marrëveshje të fshehta për rikthimin e Nikolla Gruevskit. Le të hetojë BDI se çfarë politikash përfaqësonte Bujar Osmani për veten, për ish-partnerët e tij të koalicionit apo për shqiptarët që i harroi. Është e rëndësishme të dimë nëse Bujar Osmani ishte thjesht një ekzekutues i skenarit të vetëvrasjes politike të BDI-së, të orkestruar nga Artan Grubi. Nëse BDI dëshiron me të vërtetë pastrim, le të mos shtiret sikur do të pastrojë figurat e vogla në degët e saj. Le të fillojë nga figurat më të mëdha korruptive! Populli nuk u beson më premtimeve tuaja të rreme!”, përfundon reagimin e VLEN-it.
Dy ditë më parë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tha se pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, është vërtetuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet. Nga partia e Mexhitit nuk kanë komentuar rastin, por demantuan nga Ministria e Administratës.