Kundërspin: VLEN spinon në përgjigjen ndaj akuzave të BDI-së për shqiptarët në sektorin e sigurisë

Tema e ngritur nga BDI – Shqiptarët dhe stafi drejtues në tre të ashtuquajturat shërbimet sekrete, edhe pse me një dozë ekzagjerimi në konstatime, është ende një temë legjitime dhe një çështje me interes publik. Nga partitë në pushtet nuk ka pasur përgjigje, me përjashtim të VLEN-it, e cila ka reaguar duke publikuar emrat e disa punonjësve të M-NAV-së, të cilët kanë qenë në lidhje familjare apo lidhje tjera të ngushta me BDI-në. Edhe pse pretendimet për nepotizëm janë me gjasë të vërteta, në përgjigje nuk përmenden pretendimet e BDI-së, që është një spin që lidhet me temën kryesore, shkruan Vërtetmatësi.

Koalicioni VLEN, i cili është pjesë e koalicionit qeverisës të VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, në përgjigje të një teme të ngritur nga BDI-ja, spinon tjetër temë.

Spin: Ja si BDI-ja ka “mbrojtur” shqiptarët duke i rehatuar të vetët:

 Verona Grubi – kunata e Artan Grubit si udhëheqëse e Arkivit, Besa Halimi – kunata e Ejup Halimit si udhëheqëse e prokurimeve,Afërdita Halimi, Ajsere Aliu, Rumeja Osmani – familjarë të Ejup Halimit,Gzime Hasani – bashkëshortja e Muharrem Hasanit.
Rejhane Osmani – motra e Bujar Osmanit,Arbin Veseli – nipi i Bekim Nezirit, Burak Ismaili – djali i Hisni Ismailit, Samir Bushi – djali i Nazif Bushit.

Burimi: Time.mk – VLEN: M-NAV është shembulli më i qartë...; datë- 19.02.2025]

Kundërspin: VLEN, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës me VMRO-DPMNE dhe ZNAM, ka përdorur një truk të vjetër për të shmangur një përgjigje konkrete dhe po i përgjigjet BDI-së opozitare me pretendime që nuk kanë të bëjnë me temën e ngritur nga selia në Reçicë të Vogël, që është spinim.

Përkatësisht, BDI, e cila shpeshherë ngre temën e largimit të qëllimshëm të shqiptarëve nga pozitat drejtuese në institucione (dhe që shpesh herë di të ekzagjerojë gjërat), dy ditë më parë (më 19 shkurt), ngriti një çështje krejtësisht legjitime për kontrollin mbi sektorin e sigurisë dhe inteligjencës në vend, duke pretenduar se aktualisht nuk ka asnjë shqiptar në ato pozitа.

Me shqetësim të thellë dhe përgjegjësi të plotë për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë rajonale, ne dënojmë publikisht përjashtimin e paprecedentë etnik që ndodh në strukturat e sigurisë dhe inteligjencës në Maqedoninë e Veriut. Për herë të parë që nga viti 2001, asnjë pozitë e vetme drejtuese – drejtor, zëvendësdrejtor apo ndihmësdrejtor – në tre agjencitë kryesore të sigurisë në vend, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencën Ushtarake, nuk është në duart e shqiptarëve, tha BDI, sipas një prej mediave online.

Në deklaratën e shkruar më të gjatë të BDI-së, po ashtu thuhet se kjo ka qenë strategji dhe thirrje për intervenim të NATO-s dhe BE-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë – diçka që është jokonsistente për shkak se në vend ka institucione që e diskutojnë këtë çështje. Por ka edhe një deklaratë shqetësimi që gjendet në fjalinë e radhës të deklaratës: Pasojat e kësaj qasjeje të papërgjegjshme mund të jenë dramatike dhe gradualisht të rikthejnë mosbesimin e thellë mes shqiptarëve dhe shtetit dhe veçanërisht ndaj strukturave të sigurisë.

Është e qartë se BDI-ja duhet të kërkojë përgjigje për këtë pyetje para së gjithash në Kuvend, ku merr pjesë aktive me një grup të madh parlamentar, dhe koalicioni qeverisës VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM duhet ta mohojnë apo të shpjegojnë pse është kështu. Sepse është e vërtetë që edhe pse nuk është detyrim ligjor, praktikat tregojnë për përfshirjen e shqiptarëve në këto shërbime për disa vite pas konfliktit të vitit 2001, me synimin për të rritur besimin në nivel ndëretnik. Dhe pikërisht për këtë, tema që hap BDI me pretendimet e saj është legjitime dhe me interes publik.

Në vend të një përgjigje që do të sqaronte gjërat rreth kësaj teme, nuk pati asnjë reagim nga partia kryesore në pushtet VMRO-DPMNE, dhe partneri i tyre në koalicion VLEN reagoi në mënyrë të papërshtatshme duke publikuar emrat e punonjësve të Navigacionit në vend(M-NAV), të cilët dyshohet se kanë lidhje me zyrtarë të BDI-së.

Ky është një bastion i turpshëm i nepotizmit, ku lidhjet familjare janë më të rëndësishme se kompetencat. Përderisa shqiptarët e rinj dhe të kualifikuar mbeten të papunë, pozitat në institucione janë të rezervuara për djemtë, nuset dhe nipërit e zyrtarëve të BDI-së – raporton njëra prej mediave qëndrimet e VLEN.

VLEN pretendon se BDI po flet artificialisht për “deshqiparizim” sepse kanë dashur të fshehin krimin dhe nepotizmin dhe për këtë kanë përmendur si shembull emrat e disa punonjësve në M-NAV.

Ky pretendim mund të jetë i vërtetë, por është një metodë reagimi që spinon, pra shtrembëron të vërtetën rreth temës së ngritur nga BDI. Sepse në përgjigjen që mund të lexohet nga mediat, nuk flitet asnjë fjalë për pretendimin se aktualisht nuk ka asnjë shqiptar në asnjë nga pozitat më të larta drejtuese në tre agjencitë e sigurisë dhe inteligjencës. Kjo është arsyeja pse përgjigja nga VLEN mund të konsiderohet spin.