
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ndryshuar qëndrim të premten dhe ka deklaruar se Rusia në fakt e ka pushtuar Ukrainën, dhe se Kievi shumë shpejt do të nënshkruaj marrëveshjen për mineralet e rralla me SHBA-në si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar luftën.
Të martën Trump kishte deklaruar se Ukraina “kurrë nuk është dashur të nisë” luftën tri vjet më herët, duke nxitur kritika brenda dhe jashtë vendit.
Gjatë pyetjes mbi këtë çështje në një intervistë me “Fox News Radio” të premten, ai deklaroi se Rusia ka pushtuar Ukrainën me urdhrin e presidentit rus, Vladimir Putin.
“Rusia sulmoi, por ata nuk është dashur ta lënë atë të sulmoj”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se Zelenksy dhe presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, është dashur të marrin hapa për të shmangur pushtimin.
Më vonë, Trumpi ka paralajmëruar se një marrëveshje për mineralet e rralla do të arrihej shpejt.
“Jemi duke nënshkruar një marrëveshje, shpresoj shumë shpejtë”, ka deklaruar Trump nga Zyra Ovale.
Të premten Zelensky ka deklaruar se ekipe nga Ukraina dhe SHBA-ja janë duke punuar në një draft marrëveshje. Ai ka deklaruar se shpreson për një rezultat të drejtë.
Trump të mërkurën e kishte quajtur Zelenskyn “diktator” dhe e ka paralajmëruar që të lëvizë shpejt në sigurimin e paqes me Rusinë ose të rrezikoj të humbë vendin e tij.
Ndryshimi në qasje i SHBA-së, mbështetësit kryesorë të Ukrainës, ka alarmuar zyrtarët evropianë dhe ka ngjallur frikë se Kievi mund të detyrohet të pranoj një marrëveshjeje paqeje që favorizon Putinin.
Zelenksy gjatë javës ka deklaruar se Trumpi ishte në një “flluskë keqinformimi”, por më vonë ka zbutur qëndrimin duke thënë se ai po shpresonte në pragmatizëm amerikan.
Të mërkurën Zelensky ka refuzuar kërkesën e SHBA-së për minerale të rralla në vlerë 500 miliardë dollarë nga Ukraina për të paguar ndihmën e SHBA-së për luftë. Ai e refuzoi shkaku i mungesës së garancive të sigurisë dhe se SHBA-ja nuk ka ndihmuar as afër asaj shume.
Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trumpi kritikoi Zelenksyn por u kursye për Putinin.
“Kam pasur bisedime të mira me Putinin, dhe kam pasur bisedime jo aq të mira me Ukrainën, ata nuk kanë karta, por ata po luajnë si të vështirë”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, SHBA-ja të premten ka propozuar një rezolutë për të shënuar përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës. Drafti tre paragrafësh i SHBA-së flet për humbjet e jetëve gjatë konfliktit dhe kërkon përfundimin e shpejtë të konfliktit.
Kievi dhe aleatët evropianë duan që teksti i tyre të adaptohet nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të hënën, që bën thirrje për de-eskalim, ndalje të sulmeve dhe zgjidhje paqësore e konfliktit.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz ka dhënë mbështetje që Ukraina të ketë një vend në bisedimet për paqe.
Presidenti polak, Andrzej Duda, i ka bërë thirrje Zelenskyt të ruaj qetësinë dhe të ketë bashkëpunim konstruktiv me Trumpin.