
Vajzat e mitura që kanë shkelur ligjin dhe u është shqiptuar masa për mbajtje të dënimit në qendër edukuese përmirësuese mbahen në Burgun e Idrizovës dhe kanë kontakt të vazhdueshëm me gratë e rritura të burgosura për krime serioze. Maqedonia e Veriut në këtë formë pamundëson procesin e rehabilitimit dhe reintegrimit në shoqëri të këtyre vajzave, si dhe shkel një sërë ligjesh dhe konventash ndëkombëtare. Ministria e Drejtësisë i solli ndryshimet e nevojshme ligjore që do të parandalonin këtë, por ende asgjë në praktikë. Portalb-i bisedoi me të gjitha palët.
Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve konfirmoi jozyrtarisht Portalb-it se vajzat e mitura vijojnë të dërgohen aty, por nuk lejuan që të incizojmë brenda burgut, as nuk dhanë informacione shtesë për këtë.
Numri i të miturave që kryejnë krime është shumë më i vogël në krahasim me djemtë, aktualisht në Burgun e Idrizovës ndodhet vetëm një vajzë e mitur, por ky numër varijon dhe ndryshon pothuajse çdo muaj.
Kontakti i vazhdueshëm i vajzave të mitura me të burgosurat për krime të rënda mund të ketë ndikim që këto vajza të dalin që aty me prirje edhe më të mëdha kriminale.
Zëvendës Avokatja e Popullit Vaska Bajramovska Mustafa thotë se shteti në këtë formë vepron në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për fëmijët që kanë rënë ndesh me ligjin.
Kemi reaguar shumë herë për këtë, vitin e kaluar ishte hera e fundit që reaguam pas vizitës që e bëmë, vlerësuam se në qendrën korrektuese në Idrizovë, në repartin e grave, së bashku me të dënuarat e rritura e mbajnë masën korrektuese edhe të miturat e gjinisë femërore. Kjo bie ndesh me standardet ndërkombëtare” tha Bajramovska Mustafa.
Bajramovska Mustafa i tha Portalb-it se kanë kërkuar që këta vajza të transferohen në qendrën përmirësuese në fshatin Vollkovija, ku aktualisht dënimin e vuajnë vetëm djemtë e mitur.
“Kërkuam që të ndryshohet ligji i atëhershëm për zbatimin e sanksioneve ku pikërisht duke filluar nga fakti që ka një kompleks të madh në Vollkovija, kapacitetet e të cilit nuk janë të shfrytëzuara, e pamë që mund të shfrytëzohet edhe ajo mundësi që në qendrën korrektuese në Volkovija ku janë aktualisht të vendosur fëmijë të gjinisë mashkullore, në mënyrë adekuate të përshtatet një pjesë edhe për vajzat që momentalisht janë në Idrizovë të gjinisë femërore” tha Baјramovska Mustafa.
Ministria e Drejtësisë i solli ndryshimet e nevojshme
Мë 28 mars të vitit 2024, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë në Kuvendin e RMV-së u ndryshuar Ligji për Zbatimin e Sanksioneve, me këto ndryshime parashihej transferimi i vajzave nga Idrizova në Tetovë.
Përkatësisht, u ndryshua definicioni i Qendrës Korrektuese në Tetovë, neni 20 i këtij ligji pësoi këto ndryshime, nga “Qendra Përmirësuese në Tetovë është institucion për të miturit e gjinisë mashkullore”, u shtua “edhe femërore”.
Sipas kësaj, institucionet e vendit deri tani do të duhej t’i kishin transferuar vajzat e mitura nga Idriova në Qendrën Përmirësuse në Tetovë, në një repart të posaçëm ku nuk do të kishin kontakt me djemtë e mitur.
Kjo nuk ka ndodhë dhe vajzat e mitura vijojnë të mbajnë dënimin në kushte shumë të këqija në Burgun e Idrizovës, bashkë me të burgosurat e rritura.
Nga Qendra Përmirësuese në Tetovë janë skeptik: Nuk kemi kushte për t’i pritur vajzat e mitura që kanë rënë ndesh me ligjin
Brane Stojçevski, drejtor i Qendrës Përmirësuesenë Tetovë për Portalb-in tha se nuk është i sigurt që kanë mundësi t’i mirëpresin vajzat e mitura.
Kemi kushte hapësinore, po, mirëpo kushtet tjera që ju duhen vajzave të mitura ende nuk kemi mundësi t’ua ofrojmë. Nuk është çështja që vetëm ata të vijnë këtu, nuk kërkohet ardhja e tyre sa për të qenë këtu, kur të vijnë ato, do të vijnë me një sërë nevojash pasuese” tha Stojçevski.
Stojçevski ankohet se nuk kanë majftueshëm kuadër që do të mund të kujdeset për procesin e resocializimit të vajzave.
“Na nevojiten edhe kushte tjera që të mund t’i pranojmë, ju thashë na duhet njerëz, normalisht, bëhet fjalë për vajza, do na duhen police të burgut gra, pastaj do të na duhen edhe edukatorë, me këtë numër të edukatorëve nuk do të mund ta arrijmë gjithë procesin, do të na duhen instruktuorë që do të përputhen me nevojat e vajzave, siç i kanë djemtë për shembull për zdrukthtari, hoteleri ose berber. Për shembull ndonjëra do kërkojë të trajnohet për friezere, për pedikir, manikir çka ka tjetër, ndërsa ne për këtë nuk kemi kushte as hapësinore as njerëzore” shtoi Stojçevski.
Ai megjithatë tha se “këto vajza po diskriminohen që mbahen atje, ato atje përzihen me të burgosurat e rritura dhe procesi që duhet të realizohet i resocializimit atje është i pamundur”.
Stojçevski pret që Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve t’ju ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme për t’i pritur vajzat e mitura në institucionin e tyre.
“Atëherë do të mund të themi se jemi 100% gati, tani jo” shtoi ai.
Kujtojmë që pak ditë më herët Portalb-i informoi se të miturve që kanë rënë ndesh me ligjin në Maqedoninë e Veriut, shteti ndër vite iu shkel të drejtën për arsim të garantuar me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Ndërsa deri më tani, askush nuk mban përgjegjësi për këtë shkelje.