
Sot anembanë globit shënohet 21 shkurti Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, kjo datë u zgjodh si ditë ndërkombëtare e gjuhës amtare nga ana e UNESCO-s për të përkujtuar ditën (1952) e vrasjes së disa studentëve të Universitetit në Daka, me origjinë Bengale, të cilët u vranë nga policia pakistaneze pse protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengale, që të pranohet si gjuhë zyrtare, transmeton Portalb.mk.
Qëllimi i kësaj dite është t’i promovojë dhe t’i ruajë gjuhët amtare, ta inkurajojë shumëgjuhësinë dhe diversitetin gjuhësor dhe të rrisë ndërgjegjësimin për arsimin gjithëpërfshirës në gjuhën amtare dhe ruajtjen e gjuhëve të rrezikuara.
Që nga viti 1999 UNESCO-ja 21 shkurtin e ka shpallur si ditë ndërkombëtare të gjuhës amtare. Në vitin 2007 e njëjta ditë është pranuar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara.
Mustafa Ibrahimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup për Portalb.mk tha se populli shqiptar i Maqedonisë së Veriut por edhe i Kosovës i kanë më të freskëta këto skena prandaj ndoshta e dimë edhe më tepër rëndësinë e gjuhëve amtare për kulturën, traditat dhe historinë e çdo kombi.
“Kur jemi te kontributi për kultivimin dhe zbatimin e gjuhës shqipe në RMV kontribut kanë dhënë shumë institucione si: Katedrat e Gjuhës Shqipe në Shkup dhe Tetovë, gazeta e përditshme “Flaka e vëllazërimit”; Radio Shkupi dhe Televizioni në gjuhën shqipe dhe sot Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Instituti i Trashëgimisë të gjuhës shqipe dhe tre universitetet”, tha Ibraimi.
Ai shtoi se duke u mbështetur në revistën “ Etnologue” sot në botë janë rreth 7000 gjuhë të gjalla, por se në fund të shekullit XXI mund të zhduken rreth 90 % të gjuhëve.
“Në këtë ndikojnë shumë faktorë duke filluar nga globalizmi joliberal dhe pasojat e kolonializmit për gjuhët e pushtuara, dominimi i anglishtes që ka sjell një realitet i ri në Rendin e ri gjuhësor në Botë. Vlen të përmendet se në librin e kuq të gjuhëve të rrezikuara është edhe gjuha arbëreshe, andaj tre shtetet duhet të hartojnë programe të veçanta për t’i shpëtuar nga zhdukja. Nga ana tjetër është e rrezikuar edhe vetë gjuha shqipe përballë çështjeve globale dhe rreziku që vjen nga globalizmi”, thaIbrahimi.
Prof. dr. Zejnepe Alili Rexhepi albanologe në Universitetin e Tetovës, për Portalb.mk tha se Gjuha shqipe, pra gjuha jonë amtare, është identiteti ynë kombëtar e kulturor. Është e lashtë sa vetë individi, sa vetë populli.
“E kam theksuar edhe më parë se gjuha, për një komb, është simboli më i rëndësishëm për ngritjen e vetëdijes së masës, komunikimit të pastër gjuhësor (shqip) frymës edukuese dhe zhvillimit kulturor. Kështu, deshëm apo s’deshëm ne, pavarësisht klaneve politike, ndasive fetare, botëkuptimeve të shumta e interesave të ndryshëm, përfundimisht duhet pranuar se standardizimi i Gjuhës Letrare Shqipe mbetet “ind i vetëm kombëtar” i shqiptarëve, strumbullari rreth të cilit shqiptarët e të gjitha trojeve (pavarësisht kufijve të sotëm) ndihen të një trungu, me gjuhën – simbol të pazëvendësueshëm të së kaluarës dhe të së ardhmes. (Është mjaft e rëndësishme që Abetarja shqipe, e cila përdoret në Shqipëri dhe në Kosovë, të fillojë sa më parë të përdoret edhe në shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Çamëri e gjetiu ku jetojnë shqiptarët, po në trojet e tyre të mëhershme). Vetëm në këtë mënyrë mund ta mbrojmë dhe forcojmë identitetin tonë kombëtar”, tha Rexhepi.
Vetë gjuha, do të thotë përshkrim dhe zhvillim në gjuhësi, mitologji, art, kulturë, politikë shtoi edhe më tej Rexhepi.
“Që në kohët e lashta është e njohur përpjekja e vazhdueshme e njeriut për të formësuar një imazh kulturor, përmes të cilit e ka identifikuar veten dhe mjedisin, ku ai frymon. Duke qenë pjesë e pandashme e proceseve sociale, individi merr edhe përgjegjësi për ngritjen e vetëdijes kolektive. Vetë gjuha, do të thotë përshkrim dhe zhvillim në gjuhësi, mitologji, art, kulturë, politikë…
Gjuha shqipe, pra gjuha jonë amtare, është identiteti ynë kombëtar e kulturor. Është e lashtë sa vetë individi, sa vetë populli, e për këtë dëshmojnë veprat e shumta të studiuesve të huaj, si: Johan Georg von Hahn, Johann Erich Thunmann, Norbert Jokli, Nikolla Jorga, Franc Nopça, Edith Durham…, dhe albanologëve shqiptarë, si: Justin Rrota, Injac Zamputi, Arshi Pipa, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj…, etj.
Historikisht, saga e shqiptarëve për ta mbrojtur gjuhën dhe territoret e veta është ndër më të rëndat. Luftërat e shumta, të sunduesve të huaj, për grabitje territoresh, kanë rezultuar me veprime barbare kundrejt trashëgimisë sonë kombëtare, duke i djegur dhe shkatërruar qytetet antike ilire, shkrimet (librat) e hershme, e duke u përpjekur t’i zhdukin gjurmët tona kulturore. Andaj, është imponuar të shkruarit e Gjuhës shqipe me alfabete të ndryshme, si: latin, grek, turko-arab, sllav…, gjë që e ka rënduar njohjen e origjinalitetit të hershëm kohor të shkrimit të gjuhës, mirëpo Gjuha shqipe, si bijë e Ilirishtes, është ndër gjuhët më të lashta të botës”, tha Rexhepi.
Rexhepi gjithashtu vuri në pah përpjekjet e dokumentimin të shqipes së shkruar.
“Vështirësitë për hapjen e shkollës shqipe kanë zgjatur me shekuj. Më e theksuar dhe e realizueshme ajo përpjekje, përpos periudhës Filobiblike-Dokumentimit të Shqipes së Shkruar dhe Iluminizmit, u bë pikërisht në periudhën e Rilindjes Kombëtare, me ç’rast Rilindësit ishin më unikë në idenë e ruajtjes së identitetit kombëtar, përmes Gjuhës dhe Shkrimit”, tha Rexhepi.
Me rastin e 21 shkurtit Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, organizon Konferencën Shkencore, me temë “Gjuha shqipe-identitet dhe jo politikë”.
Kjo ngjarje do të shënohet me një program të veçantë, që synon të promovojë dhe të theksojë rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare në shoqërinë tonë.
Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, akademikë, studiues të gjuhës dhe personalitete nga fusha e kulturës dhe e arsimit, bëjnë të ditur nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës.