
Nga Aleanca për Shqiptarët në një komunikatë lëshuar mediave kanë reaguar në lidhje me debatin për stemën dhe simbolet tjera shtetërore, përcjell TV21. Nga ASH thonë se ky debat është tentim për të shkelur edhe më shumë shqiptarët. Tutje nga ASH-ja bëjnë thirrje që ndryshimi i 20% të mos përzihet me stemën, duke shtuar se himni dhe flamuri duhet të deetnizohen si stema dhe jo e kundërta.
Kumtesa e plotë e ASH-së.
“Ndryshimi i 20% të mos përzihet me stemën, himni dhe flamuri duhet të deetnizohen si stema dhe jo e kundërta
Debati për stemën dhe simbolet e tjera shtetërore, ashtu siç po imponohet nga VMRO dhe vasalët shqiptarë në Qeveri është vetëm një tentim për të shkelur edhe më shumë shqiptarët, për të etnizuar shtetin dhe për të forcuar diskriminimin ndaj të gjithë qytetarëve. Përgjigja e përfaqësuesve të VREDI-t është edhe më e rrezikshme sesa vetë iniciativa e padronëve të tyre. Heqja e termit ofendues “20%” dhe emërtimi i drejtë i gjuhës shqipe nuk guxon të ndërlidhet me ndryshimin e stemës dhe vendosjen e luanit të VMRO-së. Emërtimi i drejtë i gjuhës shqipe dhe ndryshimi i himntit dhe flamurit, janë nevojë për të korigjuar padrejtësitë dhe për të trajtuar siç duhet bashkësitë etnike në vend. I gjithë monologu i partive në pushtet po zhvillohet në drejtim të gabuar.
– Një padrejtësi nuk mund të zgjidhet duke shkaktu një padrejtësi tjetër. Etnizmi i stemës me luan nuk guxon të bëhet si çmim për heqjen e 20%
– Stema është simboli i vetëm që nuk ka element etnik maqedonas.
– Ne duhet ta bëjmë himnin si stemën dhe jo stemën si himnin.
Në bazë të pikave të sipër përmendura, partitë duhet të ulen dhe të gjejmë zgjidhje për emërtimin e drejtë të gjuhës shqipe, si dhe deetnizimin e himnit dhe flamurit me qëllim që të dyja të përfaqësojnë karakterin multietnik të shoqërisë dhe shtetit. Ndërlidhja e tyre me ndryshimin e stemës është vetëm një alibi, mjegullim i opinionit dhe mashtrim i qytetarëve për të relativizuar kontrabandimin e luanit në stemën shtetërore.
Për çeshtje të tilla sensitive duhet marrëveshje me faktorin politik që është legjitimuar në zgjedhje direkte nga shqiptarët dhe jo nga faktor politik që janë perzgjedhje dhe nën vasalitet të plotë të VMRO-DPMNE”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.