Ushtarët e Maqedonisë do të mund të mbajnë vetëm mustaqe, por jo mjekër 

Mustaqe po, mjekër jo – rregullat në ARM mbeten të pandryshuara, Gjykata Kushtetuese nuk hapi procedurë

Ushtarët në shërbim në ARM do të mund të mbajnë vetëm mustaqe, por jo mjekër – dispozita e Ushtrisë, për ligjshmërinë e së cilës ishte paraqitur një nismë në Gjykatën Kushtetuese, mbetet në fuqi.

Gjykata Kushtetuese sot nuk hapi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së paragrafit numër 7 të Rregullores për marrëdhëniet në kryerjen e shërbimit në Ushtrinë e Maqedonisë, e miratuar në korrik të vitit 2012 nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Në paragrafin e kontestuar thuhet se personeli ushtarak në shërbim në ARM duhet të jetë gjithmonë i veshur në mënyrë të rregullt, i rruar dhe i qethur.
“Favorizohen mjekrat mesatare, deri në mes të veshit, dhe flokët nuk duhet të bien mbi veshët dhe jakën e uniformës, si dhe nuk duhet të mbështillen mbi skajin e kapelës, beretës apo kapeletës. Nuk lejohet mbajtja e mjekrës, ndërsa mustaqet, nëse mbahen, duhet të jenë 0.8 centimetra të gjata nga pjesa e sipërme e buzës dhe nuk duhet ta kalojnë atë. Flokët nuk duhet të jenë më të gjata se 5 centimetra”, thuhet në dispozitën e kontestuar.

Nismën e ka paraqitur Shoqata për Zhvillim “Të Rinj për Interes Publik” nga Dibra.
“Nismëtarët theksojnë se çështja e mbajtjes së mjekrës është e lejuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane, dhe se kjo dispozitë përbën ndërhyrje në të drejtën për jetën private. Gjithashtu, thuhet se është absurde që të mos ndalohet mbajtja e mustaqeve, ndërsa të ekzistojë ndalim absolut për mjekrën”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.