Diktatura e përsosur dhe e padukshme

Shkrimtari dhe filozofi anglez Aldous Huxley (1894 – 1963) e parashikoi lindjen e diktaturës së përsosur dhe të padukshme, që do të kishte pamjen e një demokracie. Në burgun pa mure, njerëzit, që i marrin gjërat si të mirëqena, nuk do të ëndërronin arratisjen, por do t’i adhuronin padronët e tyre.

Në një fjalim më 1961, Huxley e parashikoi se do të vinte koha kur njerëzit do ta humbnin ndjenjën për realitetin dhe s’do ta kuptonin që ishin të robëruar. Nëpërmjet metodave farmakologjike, ata do ta pëlqenin skllavërinë, kurse falë propagandës dhe shpërlarjes së trurit do ta humbnin dëshirën për rebelim.

Nëse Orwell-i e theksonte se njerëzit në sistemin totalitar do të kontrolloheshin nëpërmjet frikës, Huxley mendonte se ata do të kontrolloheshin nëpërmjet kënaqësisë. Sipas Huxley-t, një shtet totalitar bëhej efektiv kur popullsia e donte skllavërinë.

Aldous Huxley është autor edhe i romanit “Më e mira botë”, siç është përkthyer në gjuhën shqipe, që Margaret Atwood e quajti “kryevepër spekulimi”, kurse sipas J. G. Balladit, “aty parashikohet në mënyrë profetike ajo që do të ndodhte gjithkund në të ardhmen”.

Bota e re, siç e parashikoi Huxley, është teknologjikisht e avancuar, por moralisht e degraduar. Aty nuk ka fe me bazë mbinatyrore. Njerëzit e konsumojnë qetësuesin “soma”, që trazon ndjenja lumturie.

Edhe Cezlav Milosz te “Mendja e robëruar” shkroi për pilulat e lumturisë. Njerëzit e pafuqishëm përballë dogmës ideologjike i konsumojnë pilulat “Murti – Bing”, të ngjashme me pilulat “Soma” dhe arrijnë të mbijetojnë duke u shtirur e duke u larguar nga realiteti.

Në kohën e sotme pilula lumturie janë drogërat e ndryshme dhe përmbajtjet mediatike që na largojnë nga realiteti.

Mbizotërimi i virtualitetit mbi realitetin është parashikuar me saktësi të habitshme edhe nga Jean Baudrillard-i në librin “Simulimi dhe Simulacra”. Ai e parashikoi lindjen e epokës së hiperrealitetit. Kjo është epoka jonë.

Huxley na flet për një botë me njerëz të programuar që në fëmijëri, por edhe për njerëz të ndarë në klasa: alfa, beta etj. Në këtë botë, nëpërmjet hipnopedisë,si përcjellje e informacionit te personi i fjetur, synohet kontrollimi i nënvetëdijes së njerëzve.

Huxley e parashikoi atë që po ndodh në epokën tonë, ku realitetit ia ka zënë vendin hiperrealiteti, ku njerëzit e duan robërimin e tyre, ku kemi zhvillim marramendës teknologjik, por edhe degradim moral. Ky sistem jetësor e shoqëror është shtrirë në gjithë botën…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.