
Nga BDI thonë se “denoncojnë publikisht spastrimin e paprecedentë etnik që po ndodh në strukturat e sigurisë dhe inteligjencës në Maqedoninë e Veriut”. Nga BDI thonë se për herë të parë që nga viti 2001, asnjë pozicion drejtues — drejtor, zëvendësdrejtor apo ndihmësdrejtor — në tre agjencitë kryesore të sigurisë së shtetit, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake, nuk mbahet nga shqiptarët.
“Është një spastrim i qëllimshëm, i mirëmenduar, që nuk ka për qëllim vetëm margjinalizimin, por ringjalljen e një mentaliteti të rrezikshëm që për dekada e ka parë popullsinë shqiptare si “armik të brendshëm”. Informacionet e besueshme që flasin për punësimin masiv të dhjetëra, në mos qindra personave joshqiptarë në pozicione kyçe brenda shërbimeve sekrete, janë dëshmi se ky nuk është thjesht një proces administrativ, por një strategji për të kthyer agjencitë e sigurisë në instrumente të kontrollit politik dhe etnik, duke minuar në themel parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë. I bëjmë thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian dhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë që njohin dinamikat e sigurisë në Ballkan, të ndërhyjnë menjëherë dhe të mos lejojnë që ky spastrim të kalojë në heshtje. Përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga strukturat e sigurisë nuk është vetëm një goditje ndaj një populli të caktuar — është një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin, kohezionin ndër-etnik dhe orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga BDI.