Autostrada që do kalojë nga Struga “peng”i UNESCO-së

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, deklaroi sot se qeveria do të bisedojë drejtpërdrejt me UNESCO-n për të përcaktuar zgjidhjen më të përshtatshme për ruajtjen e statusit të mbrojtur të Liqenit të Ohrit dhe rajonit, ndërsa njëkohësisht do të realizohet autostrada nga Trebenishta deri në Qafë Thanë.

Sipas Nikoloskit, deri në fund të vitit të ardhshëm do të përfundojë autostrada Kërçovë-Ohër, e cila është e ndarë në katër seksione. Ai theksoi se një çështje kyçe mbetet mënyra më e mirë për të lidhur Strugën.

“UNESCO na ka vendosur ndalime strikte për zhvillimin e rrugëve dhe hekurudhave në zonën e mbrojtur të Liqenit të Ohrit, që përfshin edhe pjesën që mund të prekë kjo pjesë e autostradës. Pres që gjatë muajit mars, së bashku me ministrin e Kulturës, kryetarin e Ohrit dhe ekspertë të tjerë, të kemi një takim në nivelin më të lartë në Paris, ku do të diskutojmë këto çështje dhe sigurisht nuk do të veprojmë kundër rekomandimeve të UNESCO-s,” tha Nikoloski.

Ai shtoi se është shumë i rëndësishëm statusi që gëzon qyteti i Ohrit dhe Liqeni i Ohrit dhe se qeveria do të përshtatet me kërkesat e UNESCO-s. Sipas tij, mund të shqyrtohet zhvendosja e gjurmës së autostradës më në veri, ndërtimi i një traseje të re ose përshtatja me gjurmën ekzistuese.

Ministri i Transportit theksoi se do të punohet për të gjetur një ekuilibër të duhur midis mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të infrastrukturës.