“ MOS I LENI FSHATRAT TË VDESIN!”…Skicim me “mllef”Nga Kristaq F. Shabani*Atë ditë nëntori shndriti dita. Kishte disa ditë që binte shi, por atë ditë shiu u ndal. Si duket dikush urdhëroi për këtë ndalje . Kishte ndodhur një ikje e parakohëshme e një djali të Qytezës sonë, Lliar, të krahinës emërmadhe Zagori, GJIROKASTËR të quajtur në mijëvjeçarë “EVRE”. Ai kishte lënë amanet që banesa e tij e fundme të ishte pranë qiparizit disashekullor, i cili hijeshonte dhe vetë kishën, por ishte tregues, se, në atë territor, ishte banesa e përjetshme e njerëzve të ikur fizikisht nga kjo botë. Ishte një varrezë, e cila rrethonte vetë kishën. Në atë territor të shenjtë preheshin dhjetëfishi i banorëve të kësaj qyteze, edhe në vitet më të mira demografike … Respekti dhe kujtimi ishte i pandalshëm. Kujtesa kishte transmetuar ata bandillë e levendë dhe ato gra nure, të hijshme të bukura, zonja të vërteta, madje, kjo kujdesë ishte përcjellë në këngët e thurura, në vargjet e stisura me ndjenjë dhe në librat e botuar, që përcjellin fragmente jetësorë të jetës, jo vetëm në këtë qytezë, por edhe në vendet e emigruar që para disa shekujsh… Çfarë burra të ditur ka patur kjo qytezë, e cila shtrihej në një lartësi të ulët mbi nivelin detit nga 350 m nga shtëpia ime e deri në 370 m te shtëpia e Petros, nipit të Rako Priftit emërmadh… Njerëzit ishin munduar të “lartësonin” varret e prehjes të të afërmëve të tyre, duke derdhur bashkë me ndjenjat dhe lotët, edhe zbukurimet tradicionale. E s’ke si të mos kujtosh në këto momente Lushin e Nakaj, një bard popullor me krijime të jashtëzakonshme… S’ke mos të kujtosh vargun e këngëtarëve dinamikë të qytezës. E çuditshme kjo qytezë ” flori e fshehur” e përkufizuar nga miku im poet, PETRO DUDI , kur e vizitoi për herë të parë qytezën, sot ka rënë në dremitje të rëndë, sikur ajo po përgatitet vetë të përcillet në banesën e fundit…*Grupimi i makinave vargan i ardhur nga Gjirokastra, Vlora, Tepelena, Tirana, Fieri, Mallakastra, Përmeti e tjerë ecte në një kolonë të paparë ndonjëherë në atë rrugë. Kishte ndryshuar pamja e fushës së Çajupit me vënien dorë në rrugën e re, e cila ishte konturuar, ashtu sikundërse duhet të ishte bërë para shumë vitesh. Makinat bashkë me trupin e djalit të qytezës ecën me këtë temp, deri te kthesa, që merr për në Topovë… Rruga për në Zhej dhe Lliar poshtë këmbëve të qytezës emërmadhe të Dërmazit të paeksploruar ishte në gjendjen e dikurshme, ndaj bukuria e varganit u prish… Njerëzit zbritën nga makinat dhe filluan të lëviznin në këmbë, por të mahnitur nga virgjëria e krahinës , s’po e ndjenin ecjen edhe nga mbushja me ajër e bronkeve. Ishte një bukuri dite nëntori… Mandej u vunë në funksionim makina “shtalarta” dhe fugonë për të trasportuar njerëzit deri në Zhej. Makinat e vogla u ndalën te kthesa për në Topovë. Kortezhi ceremonial po zbriste për në Zhej në një rrugë në disa pjesë të saj katastrofale , sidomos pas objektit konizmë … Kjo rrugë duhet të ketë parametra, duhet të vihet dorë… Amanetet janë amanete… Njerëzit kërkojnë që të prehen në vendlindje, pas ikjes së pranisë fizike të tyre. Po si do të plotësohet amaneti i tyre? Njerëzit kërkojnë që të gdhihen në atë gjendje një natë në shtëpitë, ku lindën. Nuk kemi mundësi ne të ngremë në lartësi infrastrukturën, të paktën njerëzit, kur ikin nga jeta të mos u “tunden” eshtrat?! Nuk kemi mundësi ne si shtet që të hapim rrugë dhe të mërguarit, të vinë të pushojnë në shtëpitë e tyre, që tashmë kanë marrë një emër tjetër “ shtëpi të braktisura “, që nuk kanë mundësi të hapen dhe një herë në vit… Ato shtëpi, o njerëz, nuk po marrin frymë! Ato shtëpi duhet të marrin frymë që të mos u merren mendt mirësive të tyre… Dhe ato shtëpi duan gjallëri… Po të paktën një herë a dy herë në vit….Se vjen një ditë me këtë sjellje atyre nuk umbajnë “këmbët” dhe rrëzohen nga “tensioni! A nuk kanë nevojë njerëzit të vinë dhe të “takohen “ me të afërmit e tyre që prehen në banesën e përjetshme? A nuk kanë nevojë t’u thonë dy fjalë ligjëruese. Duan vajtocat të shpërthejnë mallin për të ikurit….Ishin shumë porta të hapura…. U mbyllën njëra pas tjetrës me kërcëllimë. U rrëzuan gurët e mëdhenj, apo “poplat” si i thonë në këtë krahinë dhe njerëzit ikën në banesën e fundit… Njerëzit e afërm mbollën lule, trëndafilë… Para tre shekujsh e më shumë e mbollën këtë qiparis hijerëndë…*Amaneti im: “Të më varrosni afër qiparizit, ku kam nënën , babanë, gjyshen e gjyshin”- u shpreh Panajoti, para se t’i ndalej fryma . Dy lot iu shkëputën nga sytë e tij që u mbyllën përjetësisht. Dhe ai djalë kishte dikur një ëndërr : “Të lidhte me rrugë Zhejin me Lliarin”. Të shkonte makina në qytezën e tij . Por, ëndrra mbetet ëndërr. Dhe ja sot, parakohe, trupi i tij i vendosur në arkivol , i trasportuar nga djem të fortë po ecin në një rrugë “ dramë”, tërë shpella, e gërryer nga ujërat. Rrugë që qan vetë gjendjen e saj mjerane… Rrugë automobilistike për të vajtur në Lliar, i thënçin! Mallkimi bie si një peshë e rëndë mbi ata që ikën dhe ata që erdhën… Të dikurshmit vinin në këto fshatra dhe lëpinin duart nga lakrorët e byreqet, petanikët qumështorët dhe dërmakët e përgatitura nga amvisat zagorite . Ata uronin dhe zotoheshin se këtyre dy fshatrave do t’u sillnin rrugën e ndërruar… “Por një gorricë atëhere dhe një gorricë tani!….” Premtime” foshnjore , sa për të kaluar radhën, sa për të larë gojën…


  • Mbi qytezë ka rënë vdekja, ka rënë venitja , ka nisur ulërima e një vdekje të madhe . Cilat vajtoca do ta vajtojnë këtë vdekje ? Nga do t’i importojmë.
    “Sa keq, – u shpreh një vlonjat , i cili mori pjesë më këtë kortezh.- Të fiket ky fshat i bukur me histori dhe plot gjelbërim për një rrugë ! Sa turp! Ç’po bëhet kështu? Në Shqipëri po vdesin fshatrat….”.
    “Kjo , – ia ktheu një beratas, – do të thotë se po vdes jeta!”
    “ I bukur , por pa rrugë , – mori pjesë në bisedë një lushnjar, i cili banonte me fat pranë autostradës…
    “ U shofshin dhe mos gëzofshin lanetërit!”- shpërtheu një plakë e vetme e mbetur në këtë fshat .
    Nomatisjet nuk kishin të sosur…Mallkimet kishin objekte të veçanta . Dëgjohej shpesh nëpër turmë : “S’u ngopën kurrë të pangopurit dhe e prishën bukurinë , e shëmtuan jetën !”
    Më i rëndë ishte mallkimi i plakut mallkues, i cili po të të mallkonte, patjetër që do të ndodhte diçka: “ Ishalla u vdes sosmoja parallakëve! 112 shtet dhe nuk na bënë një rrugë!”
    “Turp, turp , turp …”- përcillej fjala në kortezh…
    *
    Panajoti u përcoll me nderime në banesën e fundit . Dukej sikur e përcillte gjithë Shqipëria dhe njerëz nga shumë vende të Botës .
    Rripa e Çames , dëshmitare e shumë ndodhive dhe ngjarje, kishte vendosur në kokë një shami të zezë, sterrë, në shenjë nderimi për këtë humbje të parakohshme . Kambana e qytezës ra me nje melodi mortale, që nuk do t’i shkonte në mendje as Shtrausit, as Bet’hovenit, vetëm Lushit të Nakaj, bardit emërmadh të qytezës!
    Për t’u varrosur një fshat qytetërizues duhet një varrezë gjigante ! Dhe arkivoli gjigant i tij a mbahet dot në supet e njerëzve të mbetur?!
    Sa e rrezikshme është që Shqipërisë t’i vdesin fshatrat !