Bashkëshortja e Erion Veliajt, ka reaguar për herë të parë mbi akuzat që janë ngritur nga SPAK

Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt, ka reaguar për herë të parë mbi akuzat që janë ngritur nga SPAK ndaj saj dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim. Në një postim të gjatë, Xoxa thotë se “fustanet dhe bizhuteritë 800 mijë euro i kam marrë vesh në të njëjtën kohë me ju”.

Sipas saj, kjo është një e pavërtetë e madhe, ndërsa shton se “totali i blerjeve online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe para farmaceutike, aksesorë, për dhjetë vite është 75 mijë euro. Xoxa mohon akuzat e SPAK, duke thënë se është e gatshme të sqarojë me detaje gjithçka dhe paralajmëron se do të përballet me drejtësinë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Ajola Xoxa, nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv” në 9 raste, për shpëlarje parash dhe për mos deklarim të ardhurash. Teksa, kryetar i bashkisë, Erion Veliaj është i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mos deklarim i pasurisë dhe pastrim parash.